Eksperti evropian që udhëheq Nismën Evropiane për Stabilitet, Gerald Knaus thotë se kushtëzimi i anëtarësimit të Kosovës me krijimin e Asociacionit, do të ishte gabim dhe do të bënte të pamundur realizimin e asnjërit prej tyre, raporton Prishtina Sot.
Gjithashtu, Knaus përmend faktin se në Evropë në 30 vitet e fundit ka qenë zonë lufte në vendet e Ballkanit, dhe thotë se duhet ta zgjerojnë zonën e paqes për këtë është më rëndësi që edhe Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.
“Duhet të argumentojmë për këtë gjë, është çështje lufte ose paqeje. Nëse e sheh Evropën, nëse i shikon 50 shtetet që i kemi sot në Evropë, atëherë secili shtet që nuk është anëtar i Bashkimit Evropian apo në NATO, ka patur konflikt në 30 vitet e fundit. Luftë, kolaps të shtetit si në rastin e Shqipërisë gjatë viteve të ’90, represion të shkallës së gjerë, si në Bjellorusi, ose luftë, luftë civile dhe pushtim. Secili shtet, përveç Mali të Zi, ka patur luftë në territorin e vet.
Kemi një zonë lufte dhe një zonë paqe në Evropë në 30 vitet e fundit, në periudhën e pas Luftës së Ftoftë, dhe na duhet ta zgjerojmë zonën e paqes. Kosova dhe Ballkani duhet të bëhen pjesë e kësaj zone të paqes demokratike sa më parë dhe hapi i parë konkret për këtë, prandaj është me kaq rëndësi, është që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës”, tha ai për VOA.