KMDLNJ ka reaguar pas arrestimit të Blerim Ramadanit, ish-pjesëtar i UÇK-së nga autoritetet maqedonase, me urdhërarrest të Serbisë, duke thënë se shpeshtimi i rasteve të arrestimit po bëhet si hakmarrje nga Beogradi zyrtar për arrestimin e serbëve të dyshuar për krime lufte në Kosovë.
Në një reagim për media, KMDLNJ kërkon nga institucionet shtetërore të Kosovës të angazhohen maksimalisht për të siguruar mbrojtje ligjore për të arrestuarit sikur edhe përkrahje të plotë për familjarët e të arrestuarve.
KMDLNJ përkujton se kohëve të fundit Serbia ka arrestuar shqiptarë nën akuzat se janë ish-ushtarë të UÇK, duke i mbajtur në paraburgim dhe duke i dënuar disa prej tyre.
“Arrestimi i djeshëm i Blerim Ramadanit në Maqedoni të Veriut nuk ishte rasti i parë dhe, deri më tani asnjë shqiptar i arrestuar nuk është ekstraduar në Serbi sikur që as Ramadani nuk do të ekstradohet”, thuhet në reagim.
Më herët kishin qarkulluar në opinion disa lista me ish-ushtarë të UÇK-së dheKMDLNJ kishte këshilluar të shmanget udhëtimi nëpër territorin e Serbisë.
“Tash po del se ato lista janë përcjellë në Interpol andaj edhe po arrestohen siç ishte rasti i Blerim Ramadanit. Më parë në bazë të fletarresteve nga Serbia ishin ndaluar – arrestuar kryeministrat Haradinaj dhe Çeku, deputetë të Kuvendit të Kosovës, aktivistë sindikalë, politikë etj. KMDLNj shpreson se Ramadani do të lirohet shpejt, por se kjo nuk është zgjidhje derisa janë ato lista që kërcënojnë çdo ish-ushtar të UÇK-së apo person që Serbia kërkon arrestimin e tij”, thotë KMDLNJ.
Për më tepër KMDLNJ thotë se këto janë vendime me qëllime politike e të cilat synojnë trysni mbi palën kosovare për lirimin e serbëve të arrestuar për krime lufte në Kosovë.
“Shteti i Kosovës duhet të angazhohet maksimalisht për të siguruar mbrojtje ligjore për të arrestuarit sikur edhe përkrahje të plotë për familjarët e të arrestuarve”, ka përfunduar KMDLNJ.
Ish-ushtari i UÇK-së, Blerim Ramadani për momentin ndodhet në Gjykatën Penale ku pritet të merret vendimi për lirimin ose dërgimin në paraburgim ekstradues. Komisioni në të cilin merr pjesë edhe prokurori i krimit të organizuar do të vlerëson ligjshmërinë e fletarrestit të lëshuar para disa viteve me kërkesë të Serbisë tek Interpoli. Në prani të Ramadanit ndodhet mbrojtja e tij ligjore dhe ambasadori i Kosovës, Florian Qehaja.