Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka reaguar pas vendosjes së një kryqi të madh në varrezat e fshatit Bajçinë të Podujevës nga persona deri më tani të paidentifikuar.
Sipas KMDLNj-së as në kohën e okupimit më të egër të Kosovës , regjimi i Serbisë nuk ka ndërmarrë një veprim të tillë.
“E drejta e ushtrimit të lirë të besimit në Kosovë për të gjithë besimtarët është e garantuar me ligj. Sikur që çdo diskriminim në baza fetare duhet të sanksionohet me ligjet në fuqi. Vendosja e kryqit në varrezat e fshatit Bajçinë, pa asnjë dyshim ka për qëllim nxitjen e urrejtjes dhe mosbesimit në baza fetare dhe KMDLNj fuqishëm e dënon këtë shkelje të rëndë të drejtave të njeriut dhe ushtrimit të lirë të besimit. As në kohën e okupimit më të egër të Kosovës , regjimi i Serbisë nuk ka ndërmarrë një veprim të tillë”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.
Lidhur me këtë rast, Policia e Kosovës ka nisur hetimet.
Rasti është denoncuar menjëherë në polici e cila ka intervistuar një person ndërsa me urdhër të prokurorit, rasti është hapur “nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.
“Lidhur me rastin e lartcekur është intervistuar një mashkull kosovar, po ashtu është informuar edhe prokurori kompetent dhe rasti i nënshtrohet procedurave përkatëse policore për hetime të mëtejme”, thuhet në raportin e policisë./IndeksOnline/