Klara Sanduloviq tregon për ndalesat në Merdar: Më pyetën nëse kam biseduar me kryeministrin Kurti

 

Klara Sanduloviq është vajza e politikanit serb, Nikola Sanduloviq i cili u rrah brutalisht nga agjentët e BIA, pasi kërkoi falje për krimet kundër shqiptarëve gjatë kohës që po bënte homazhe tek varrezat e Jasharajve.

Ajo tha se agjentët serb e kanë marrë në pyetje për tre orë dhe i kërkuan të tregonte me kë ishte takuar gjatë qëndrimit të saj në Prishtinë.

“Ata mendojnë se veprimi im është një veprim kundër qeverisë serbe, se unë po komplotoj kundër qeverisë serbe. Ata më pyetën me kë fola, nëse fola me kryeministrin Kurti, çfarë mesazhesh kishte ai për babin tim, pyetje të ndryshme për aktivitetin tonë politik. Më pyetën kush e mbështet babin dhe me kë jemi në kontakt, nëse njoha njerëz gjatë qëndrimit tim në Prishtinë. Unë nuk mund t’ju përgjigjesha këtyre pyetjeve pasi nuk takova askënd në Prishtinë, thjesht vendosa lule në varrin e Jasharajve dhe ata u acaruan me këtë përgjigje. Më pyetën ku punoj, cilat janë pasionet e mia dhe çfarë bëj në kohë të lirë. Më pyetën pse kam një pasaportë kroate dhe cili është emri i mamasë time”, tha Klara Sanduloviq.

Ajo pas kësaj ka thënë se po ndihet e rrezikuar pasi agjentët e shërbimit sekret tani dinë gjithçka në lidhje me të.

Ajo nënvizoi se ka frikë se e njëjta gjë i që ndodhi të atit pas homazheve në Prekaz mund t’i ndodhë dhe asaj.

“Për tre orë më akuzuan se po komplotoja kundër vendit tim. Ndihem e kërcënuar sidomos pas kësaj bisede 3-orëshe ku ata u përpoqën të mësonin çdo detaj të jetës sime, ku punoj, ku jetoj, ku shkoj dhe këto më duken kërcënime. Pas asaj që i ndodhi babait tim ata mund të përpiqen të bëjën të njëjtën gjë dhe me mua”, tha ajo për Euronew Albania.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d