Pesë të plagosurit që pësuan lëndime nga armët e zjarrit në konfliktin e mbrëmshëm mes grupeve Sekiraqa dhe Capat, në lagjen Aktash në Prishtinë po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Njëri prej tyre tashmë është transferuar në Klinikën e Kardiokirurgjisë.
Për gjendjen e tij shëndetësore ka folur drejtori i kësaj klinike, Shpëtim Shurdhiqi.
Ai tha se ekipi mjekësor po e përcjellë gjendjen e tij dhe për momentin është stabile.
“Gjendja e tij për momentin është stabile. Ka pasur plagë në krah dhe gjoks. E kemi përcjellë gjendjen e tij në klinikën tonë gjatë 24 orëve. Fatmirësisht gjendja e tij është stabile – nuk ka nevojë për intervenim kardiokirurgjik kështu që është nën përcjellje dhe po e shohim tutje”.
Nga Policia kanë bërë me dije se pesë personat e plagosur janë duke u trajtuar në QKUK, “nën masën e arrestit dhe mbikëqyrjes policore”.
Salih Sekiraqa, Korab Gashi (vëllai i të vrarit Premtim Gashi), Robert Llumnica (29-vjeçar), Fatos Abazi (35-vjeçar) dhe Valdrin Ademi (21-vjeçar), janë të dyshuar për përfshirje në këtë incident tragjik, shkruan Sinjali.
Rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje” dhe tashmë kanë nisur hetime intensive nga Policia në koordinim me Prokurorin e Shtetit.
Shënim: Personat apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.