Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) sot është parë se ka vendosur makina mbi Urën e Ibrit, aty ku tash e disa ditë po kryhen punime. Për këtë veprim, Gazeta ka kërkuar një sqarim nga ta.
Nga EULEX kanë deklaruar se patrullimet po kryhen me qëllim të parandalimit të ndonjë situate të paparashikueshme.
Ata theksuan se jo vazhdimisht janë prezentë mbi Urën e Ibrit.
“Për t’i paraprirë ndonjë situatë të paparashikueshme, Njësia e Formuar Policore e EULEX-it po kryen patrullime të rregullta mobile të zbulimit në baza 24/7, duke përfshirë – por pa u kufizuar në – afërsinë e urës. Dëshirojmë të theksojmë se EULEX-i nuk ka prezencë të vazhdueshme statike të sigurisë në urë”, thuhet në përgjigjën e tyre për Insajderi.
Të pyetur se si është situata e përgjithshme e sigurisë, përkatësisht a ka ndonjë rrezik potencial.
EULEX rikonfirmoj që “Siguria e të gjitha komuniteteve në Kosovë mbetet prioriteti ynë i parë”.
Tutje thanë se janë të gatshëm ta ndihmojnë Policinë e Kosovës në rast se një gjë e tillë kërkohet.
“EULEX-i mbetet vigjilent dhe, në përputhje me mekanizmin reagues të sigurisë me tre nivele të Kosovës, është i gatshëm të mbështesë Policinë e Kosovës nëse kërkohet dhe është e nevojshme për të kontribuar në ruajtjen dhe promovimin e rendit dhe sigurisë publike në rastet e trazirave civile”.
Mëngjësin e së mërkurës, makina të blinduara të EULEX dhe KFOR janë parë mbi Urën e Ibrit.
Aty kanë vazhduar edhe sot punimet, përkatësisht në pjesën mbi urë dhe pjesët rrethuese të saj.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka publikuar të martën raportin e vlerësimit të Urës së Ibrit, mbi kapacitetet mbajtëse të strukturës së saj, në të cilin raport u tha se ajo është stabile, e qëndrueshme dhe funksionale.