Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt, ku ka marrë 22 vendime, raporton Gazeta Prishtina Sot.
Në mesin e këtyre vendimeve janë edhe ai për miratimin e Projektligjit për Banim Social të Përballueshëm, si dhe ndryshimi i Udhëzimit Administrativ që mundëson që pronat e sekuestruara të kryeterroristit Milan Radojiçiq t’i jepen në shfrytëzim dhe menaxhim të Policisë së Kosovës.
Njoftimi i plotë:
Të gjitha vendimet:
- Miratuar Projektligjin për Banim Social të Përballueshëm. Zbatimi i këtij ligji përfshin programin për banimin social, banimin e përballueshëm për çiftet e reja, rindërtimin dhe renovimin e shtëpive për familjet në nevojë, si dhe përmirësimin e kushteve të lagjeve. Grupet që do të përfitojnë përfshijnë familjet me situatë ekonomike të vështirë, të papunët, të pastrehët, viktimat e dhunës në familje, viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore, të rinjtë, komunitetet jo shumicë dhe grupe të tjera të përcaktuara në projektligj.
- Miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës Jashtë Vendit. Ky projektligj rregullon mënyrën e procedurat e dërgimit dhe tërheqjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, përcaktimin e marrjes pjesë në operacionet ndërkombëtare të paqes dhe operacionet ndërkombëtare humanitare, e aktivitete tjera.
- Aprovuar Udhëzimin Administrativ “Edukimi për Mbrojtjen e Fëmijës, i cili ndërlidhet me shtyllën e parë në Strategjinë e Arsimit 2022-2026 për edukimin në fëmijërinë e hershme.
- Emëruar Bordin e Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Telekomi i Kosovës ” Sh. A., me këtë përbërje:
– z. Petrit Nahi, kryesues;
– znj. Rrezarta Pllana, anëtare;
– znj. Sajmie Thaçi, anëtare;
– znj. Lindita Toçi, anëtare;
- Emëruar Bordin e Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Kompania për Menaxhimin e Deponive ” Sh. A, me këtë përbërje
– z. Afrim Konjufca, Kryesues;
– znj. Emina Telaku, anëtare;
– znj. Valbona Shala Thaçi, anëtare;
– z. Petrit Pantina, anëtar;
- Miratuar vendimin përfundimtar për shpronësim për interes publik për nevoja të Depos Qendrore të Barnave dhe akomodim të administratës së Ministrisë së Shëndetësisë.
- Miratuar vendimin përfundimtar për shpronësim për interes publik për nevoja të Shërbimit Korrektues të Kosovës.
- Miratuar vendimin preliminar për shpronësim dhe krijimin e të drejtës së servitutit për interes publik në Qytetin e Malishevës.
- Miratuar vendimin për shqyrtim të mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme për nevoja të Terminaleve Doganore: Hani i Elezit, Komuna Hani i Elezit, Merdare, Komuna Podujevë dhe Dheu i Bardhë, ZK Domoroc, Komuna Ranillugë.
- Dhënë në shfrytëzim për Ministrinë e Punëve të Brendshme të pronave në zonat kadastrale Jesenovik i Epërm dhe Çeçevë, Komuna Zubin Potok, pronë e Agjencisë Pyjore të Kosovës.
- Themeluar Komisionin e pranimit për pozitën e Kategorisë së Lartë Drejtuese: Drejtor Ekzekutiv në Agjencinë Pyjore të Kosovës, në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
- Ndryshuar dhe plotësuar Vendimin e Qeverisë Nr.06/ 143 të datës 28 prill 2017 për themelimin e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar Gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës i ndryshuar dhe plotësuar me Vendimin Nr. 16/48 të datës 7 dhjetor 2020 dhe Vendimin Nr. 02/54 të datës 12 janar 2022. Sipas këtij plotësim ndryshimi, paragrafi 9 i pikës 1 riformulohet si në vijim: z.Kreshnik Oseku, MFPT – anëtar.
- Aprovuar Raporti Vjetor të Statistikave Zyrtare për vitin 2023.
- Miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Grantit ndërmjet Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Qeverisë së Zvicrës e përfaqësuar nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme përmes Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim për Programin “Menaxhimi i Integruar i Burimeve Ujore në Kosovë Faza 2”. Qëllimi i këtij programi është që të mbështesë Kosovën të themelojë një kornizë të integruar funksionale për mbrojtjen, cilësinë e përdorimin e qëndrueshëm dhe ndarjen e barabartë të burimeve ujore në Kosovë.
- Miratuar Koncept dokumentin për Veprimtari Kërkimore, Shkencore dhe Inovacion. Ky dokument rrjedh nga Programi Kombëtar i Shkencës 2023-2028, i miratuar vitin e kaluar. Një ndër objektivat kryesore të Programit është zhvillimi i një sistemi efektiv të kërkimit shkencor dhe inovacionit, përmes konsolidimit të kornizës ligjore.
- Themeluar Komisionin ad hoc për vlerësimin profesional për kategorinë e lartë drejtuese për Sekretar të Përgjithshëm në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve.
- Aprovuar raportin gjashtëmujor financiar për vitin 2024.
- Themeluar bordin këshillimor shkencor lidhur me ndryshimet klimatike.
- Rialokuar 3 milionë euro për 55 projekte kapitale nëpër komuna.
- Plotësuar dhe ndryshuar vendimin e Qeverisë Nr. 02/58 i dt. 2 shkurt 2022 i ndryshuar dhe i plotësuar me vendimin Nr. 01/166 të dt. 15 tetor 2023, me qëllim për të harmonizuar përbërjen e bordit me legjislacionin në fuqi për barazinë gjinore, e për të mundësuar ushtrimin e plotë të kompetencave të KEK.
- Plotësuar dhe ndryshuar Udhëzimin Administrativ për Plotësimin dhe Ndryshimin e Udhëzimit Administrativ (QRK) Nr.13/2022 për Mënyrën dhe Procedurat e Shitjes dhe Dhënies me Qira të Pasurisë së Luajtshme dhe të Paluajtshme të Sekuestruar dhe të Konfiskuar. Ky Udhëzim rregullon të drejtën e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar që të jap me qira në fazën e sekuestrimit pasuritë e paluajtshme pa ankand publik, nëse pasuritë e paluajtshme i kërkon një institucion publik ose organ shtetëror.
Shkurtimi i procedurave të dhënies me qira të pasurive të paluajtshme pa ankand publik në fazën e sekuestrimit është bërë me qëllim të përshpejtimit të kalimit të pronës së paluajtshme nga Agjencia në shfrytëzim të institucionit publik që e kërkon atë. Kjo, për shkak se disa pasuri që tashmë janë sekuestruar, gjinden në disa pika strategjike të territorit tonë, konkretisht në veri të vendit. Shfrytëzimi dhe menaxhimi i tyre nga institucionet e sigurisë është i rëndësisë nacionale dhe i kontribuon rritjes së sigurisë territoriale në përgjithësi.
- Emëruar Komisionin ad-hoc të Pranimit për Kategorinë e Lartë Drejtuese: Drejtor (ekzekutiv) i Përgjithshëm në Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar.