Përveç mbarëvajtjes së sigurisë gjatë organizimit të festivalit të motoristëve “Moto Fest 2024” në Prizren, Policia arrestoi dy persona që dyshohet se në gjendje të dehur shkaktuan sherr. Të dyshuarit, emra të njohur për organet e rendit – tentuan ta eskalojnë situatën dhe t’i sulmojnë pjesëmarrësit.
Sinjali ka mësuar se të dyshuarit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor dhe ndaj tyre tashmë kanë nisur hetimet.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se personat që po dyshohen për këtë rast janë Ardit Braha dhe Metin Beqiri.
Braha e Beqiri, të cilët janë recidivistë të veprave penale, për motive akoma të panjohura, dyshohet se kanë tentuar t’i sulmojnë fizikisht disa persona në këtë organizim.
Sipas informacioneve të para, njëri prej tyre dyshohet se edhe iu është vërsulur me një mjet të mprehtë personave që po merrni pjesë në manifestim, por nuk ka arritur që t’i sulmojë me thikë.
Të dy përfunduan në Polici, ku hetuesit nuk kanë arritur t’i intervistojnë pasi ishin nën ndikimin e alkoolit.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tyre është iniciuar hetimi në drejtim të veprave “Sulmi” dhe “Armëmbajtje pa leje”.