Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) është ende në pritje të raportit nga paneli hetimor në lidhje me veprimet e gjyqtarit Agim Kuçi, i cili pasi dënoi me 25 vite burgim Enver Sekiraqën e la në liri.
Nga ky institucion shkurt kanë thënë se paneli ka kohë që brenda 3 muajve ta hartojë raportin dhe se ende nuk e kanë pranuar atë.
“Paneli Hetimor brenda periudhës prej 3 muajve duhet të hartoj raportin mbi faktet dhe provat e mbledhura të cilin raport ia dorëzon KGJK-së. Në këtë rast, KGJK ende nuk e ka pranuar raportin”, thuhet në përgjigjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Veprimet e gjyqtarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, po shihen si paradoks nga ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani.
“Gjyqtari nuk kishte të drejtë të merrej me këtë masë, d.m.th. masën e arrestit shtëpiak, por do të duhej të vendoste trupi gjykues. Është pak paradoks që të dënohet dikush me 25 vjet burgim dhe t’i hiqet edhe masa e arrestit shtëpiak. Për mua ka qenë shumë më e arsyeshme dispozita që ka qenë deri më 2023, kur në mënyrë eksplicite ka qenë norma kur gjykata i cakton dikujt burgim deri në 5 vjet automatikisht ai shkon në paraburgim”, ka thënë Hasani.
Ndërkohë, edhe një ish-kryetar gjykate, Hasan Shala i Apelit, thotë se rastet e tilla duhet të trajtohen me prioritet nga Këshilli, porse mund të marrin kohë më shumë.