Prokuroria Themelore ka kërkuar paraburgim ndaj biznesmenit, Feim Pulaj dhe 12 zyrtarët e ATK-së. Dëmi që të njëjtit i kanë shkaktuar shtetit po del të jetë 2.8 milionë euro. Pulaj dhe të tjerët po dyshohen për bashkëkryerje në veprat penale “shmangie nga tatimi” dhe “prezantim të dokumenteve të rrejshme”.
“Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 13 personave të ndaluar, në gjykatën kompetente”, tha shkurt Ulaj, përcjell Insajderi.
Prokuroria njofton se “Personat me inicialet M.Z., N.B., S.T., A.J., M.R., M.Z., M.B., G.Gj., A.P., V.K., A.R., Xh.H., zyrtarë të ATK-së, dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi në detyrë”, nga neni 419 i KPRK-së, ashtu që të dyshuarit F.P., pronar i tri bizneseve në Prizren ia kanë njohur si të rregullta 23 fatura fiktive me vlerë prej 18 milion euro, kinse për ndërtimin e një hoteli i cili veç ka qenë i ndërtuar më parë, e të cilat fatura i kishte pranuar nga të pandehurit të B.B. dhe B.B ( të cilët janë në kërkim) pronarë të një biznesi në Podujevë, e që dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangie nga tatimi” dhe si rezultat i këtyre veprimeve, zyrtarët e ATK-së i kanë njohur të drejtën e rimburisimit të TVSH-së së zbritshme në shumën prej 2.8 milion euro për çka ekziston edhe një Urdhër i Përmbaruesit Privat për rimbursim të detyruar nga Buxheti i Kosovës, por se kjo procedurë është pezulluar në momentet e fundit për shkak të inicimit të rastit penal ndaj të pandehurve të lartcekur”.
Andaj, B.B., F.P. dhe B.B., pretendohet se me veprimet e tyre e kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë prej 2.8 milion euro, thekson prokuroria.