Një zyrtar korrektues i Qendrës së Paraburgimit në Smrekonicë është kërcënuar të hënën nga dy persona dhe motivi dyshohet se lidhet me një rast të mëhershëm. Viktima ka kërkuar ndihmën e Policisë, duke e denoncuar rastin, raporton Gazeta Prishtina Sot..
Gazeta ka mësuar se zyrtari korrektues (emër i njohur për redaksinë), ka deklaruar se dy të dyshuarit fillimisht i kanë bërë me shenja teksa ishte në lëvizje me veturë, e më pas e kanë ndjekur.
Përballë kësaj situate, viktima ka vendosur që ta raportojë rastin dhe si rezultat të dyshuarit janë arrestuar.
Pas shoqërimit në stacion dhe intervistimit, me vendim të prokurorit, të njëjtit janë dërguar në mbajtje.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prishtinë.
“Viktima mashkull kosovar, ka raportuar se dy të dyshuarit meshkuj kosovarë duke e kanosur e kanë ndjekur nga pas me veturën e tyre, ku viktima është ndier i kanosur. Të dyshuarit janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje.”