Një konflikt verbal mes dy palëve në fshatin Mramor të Prishtinës eskaloi në kanosje serioze, të hënën pasdite. Pesë persona përfunduan në prangat e Policisë dhe ndaj tyre tashmë kanë nisur hetimet.
Siç merr vesh gazeta, tre persona në njërën anë dhe dy të tjerët në anën tjetër janë kapur mes vete për shkak të një mosmarrëveshje që kanë pasur.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se të dyshuarit janë nga familja Gashi, të cilët e kanë kërcënuar njëri – tjetrin me fjalë të ndryshme, e madje edhe me vrasje. Posa rasti është denoncuar në Polici, njësitë përkatëse kanë intervenuar në vendin e ngjarjes, ku edhe janë arrestuar personat e dyshuar.
Të njëjtit janë shoqëruar në stacion policor dhe pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prishtinë.