Një sulm me dronë i kryer nga Hezbollahu në një bazë ushtarake në Izraelin qendror ka vrarë katër ushtarë dhe ka lënë të plagosur shtatë të tjerë të dielën, më 13 tetor, tha ushtria izraelite.
Ky është sulmi më vdekjeprurës i kryer nga grupi militant libanez që kur Izraeli nisi ofensivën tokësore në Liban dy javë më parë.
Hezbollahu, grup militant dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe në jug të Libanit, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, derisa Bashkimi Evropian e ka në listë të zezë vetëm krahun e armatosur, por jo partinë, e cila ka ulëse në Parlamentin e Libanit.
Ky grup tha se sulmi afër qytetit Binjamina ishte në shenjë hakmarrjeje për sulmet ajrore izraelite në Bejrut më 10 tetor, kur u vranë 22 persona.
Më vonë, grupi tha se kishte shënjestruar brigadën elite Golani të Izraelit, duke lëshuar dhjetëra raketa, teksa paralelisht kishte kryer sulme me dronë, raporton REL.