Kamionët me ndihma nisin të hyjnë në Gazë

 

 

Kamionë me ndihma kanë hyrë në Gazë nga jugu i Izraelit të dielën, më 26 maj, përmes një marrëveshjeje të re.

Marrëveshja parasheh që të anashkalohet pikëkalimi në Rafah me Egjiptin, pasi forcat izraelite e morën nën kontroll pjesën palestineze të pikëkalimit më herët gjatë këtij muaji. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse grupet humanitare do të kenë qasje te ndihma, për shkak të luftimeve të vazhdueshme në atë zonë.

Egjipti refuzon të hapë anën e vetë të pikëkalimit në Rafah deri në kohën kur kontrolli i kufirit kah ana e Gazës t’i kthehet palestinezëve. Por, ky shtet është pajtuar që përkohësisht ndihma të dërgohet përmes pikëkalimit Kerem Shalom të Izraelit, ku gjendet terminali kryesore e mallrave të Gazës.

Marrëveshja është arritur pas një bisede telefonike që ka zhvilluar presidenti amerikan, Joe Biden, me homologun e tij egjiptian, Abdel Fattah al-Sissi.

Khaled Zayed, kreu i Gjysmëhënës së Kuqe Egjiptiane, organizatë që merret me dërgimin e ndihmës nga Egjipti në Rafah, tha se 200 kamionë me ndihma dhe katër kamionë me karburante pritet që të dielën të hyjnë në Gazë.

Megjithatë, nuk ishte menjëherë e qartë nëse Kombet e Bashkuara arritën të merrnin ndihmën nga Gaza.

Dërgimi i ndihmës në Gazë është vështirësuar për shkak të ofensivës që Izraeli ka nisur në Rafah. Izraeli tha se do të lejojë qindra kamionë të hyjnë në Gazë, por agjencitë e Kombeve të Bashkuara thanë se ka rrezik të madh për kryerjen e këtyre operacioneve të ndihmës.

Lufta në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e bashkuara dhe Bashkimi Evropian – nisi pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor, duke vrarë 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 35.800 palestinezë.

Për shkak të luftimeve, më shumë se 1 milion palestinezë i strehuan në Rafah për shkak të luftimeve në pjesë të tjera të territorit të rrethuar. Ndërkaq, sipas OKB-së, pjesa veriore e Gazës po përballet me uri, teksa për dërgimin e ndihmës atje janë dy rrugë tokësore që Izraeli hapi së fundi.

Ndihma në Gazë dërgohet edhe përmes një porti që SHBA-ja ka ndërtuar, por sasia e ndihmës që dërgohet përmes portit është më e vogël seç prisnin autoritetet. Grupet e ndihmës kanë thënë se Gazës i duhen 600 kamionë në ditë me ndihma, në mënyrë që të adresohen nevojat humanitare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d