Për të tretën herë, Shaip Kamberi do të jetë zëri i vetëm i shqiptarëve të Luginës së Preshevës në Parlamentin e Serbisë. Kamberi ka bërë të ditur se nuk do të kandidojë edhe për një mandat tjetër pasi siç tha ai, “ka ardhur koha të lëshoj rrugë”.
“Unë e kam obligim moral që vendimin përfundimtar ta them në partinë time dhe ta them edhe publikisht, por mendoj se Lugina e Preshevës ka nevojë për kuadro dhe ata kuadro duhet të ndërtohen”.
“Kuadrot nuk mund të ndërtohen nëse nuk i fut në “zjarr”, siç e ka ushtria amerikane një ushtrim me zjarr, që thonë se pa i fut ushtarët në zjarr nuk e di se çfarë ushtarë janë. Kështu që koha është të mendoj për gjeneratat e reja, koha është të mendoj të lëshoj rrugë”, tha ai për Zërin.
“Unë kam ndjekur një parim sa i përket kandidimit tim për zgjedhje komunale, kam qenë dy mandate kryetar komune, mandatin e tretë nuk kam pasur asnjë pengesë brenda partisë që të jem sërish kandidat, kam pasur mbështetjen e të gjithëve, por kam vendosur që më nuk do të garoj. Kështu që edhe këtu, por vendimin përfundimtar do ta jap në strukturat e partisë”.
Kamberi mori mbi 13 mijë vota në zgjedhjet e fundit në Serbi.