“Ka pasur disa mesazhe” – Vëllai i Kushtrim Kokallës deklarohet pas dëshmisë së babait të Naim Murselit

 

 

Kanon Kokalla, vëllai i Kushtrim Kokallës, e ka akuzuar dajën e tij Shaban Murselin për deklaratat e dhëna në polici.

Kokalla ka thënë se deklaratat e Shaban Murselit në hetuesi në të cilat ai përmendi një “problem familjar” të djalit të tij Naim Murselit me vëllain e Kushtrim Kokallës, janë bërë qëllimisht për ta përlyer atë dhe familjen e tij.

Në një deklarim për portalin Nacionale të martën, ai ka thënë se mesazhet telefonike të cilat janë përmendur në dëshmitë e Shaban dhe Naim Murselit nuk kanë asgjë të bëjnë me rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

“Kjo është logjikë, veç me demek unë mos kam lidhje unë me këtë punë, a po di qysh.. kurrgjë më shumë. Krejt bijnë poshtë këto teza. Kjo puna që e ka përmend ky daja [Shaban Murseli, v.j] nuk ka të bëj kurrgjë me këtë rast, hiç”, ka thënë ai. “Ai veç ka dashtë të më përlyej mua, të më bëj horë”.

“Kurrgjë s’ka pasur këtu. Disa SMS-a që ai [Naim Murseli, v.j] i ka shkru: ‘Qysh je? Çka je kah bën?’”, ka thënë Kanon Kokalla.

Kokalla ka thënë se e ka lënë atë punë qëmoti dhe e ka mbyllur këtë çështje.

Në një dëshmi dhënë hetuesve të Policisë së Kosovës më 1 dhjetor të vitit të kaluar, babai i Naim Murselit ka thënë se djali i tij e ka pasur një rast me djalin e hallës së tij, K. Kokallën, vëllain e Kushtrim Kokallës, të dyshuar për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt.

Disa mesazhe të shkëmbyera nga Naim Murseli me gruan e vëllait të Kushtrim Kokallës, ishin bërë çështje në familjen Murseli, ka rrëfyer kryefamiljari.

“Unë përveç një problem që e ka pas Naimi me djalin e hallës se tij K. para një viti që ka pas disa masazhe të shkëmbyer përmes telefonit gjegjësisht me B., gruan e K.. Sipas njohurive që unë i kam pas për këtë rast nuk ka pasur diçka me shume mes Naimit dhe B. përveç disa shkrimeve dhe fotove jo intime, foto normale”, ka thënë Shaban Murseli në dëshminë e dhënë në Polici më 1 dhjetor.

Shaban Murseli ka thënë se Naimi dhe Liridona janë takuar me vëllain e Kushtrim Kokallës e bashkëshorten e tij dhe e kanë mbyllur këtë çështje. Ka thënë se nga ky rast janë ftohur marrëdhëniet mes tij dhe Naimit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d