Shkodrani që mashtron biznesmenët, duke u identifikuar si ministri i Brendshëm në Shqipëri, Taulant Balla, e në fakt ishte “koka” e grupit kriminal, tashmë është zbuluar.
Top Channel raporton se bëhet fjalë për shtetasin Florian Gjergji, i cili aktualisht është nën hetim dhe ndaj tij janë dhënë disa masa për të njëjtën skemë mashtruese.
“Biznesmeni, sipas kërkesës së mashtruesit, ka ardhur në Tiranë me çantën 100 mijë euro dhe ia ka dorëzuar një taksisti. “Mbajta shënim targat e taksisit”, tha biznesmeni në polici.
Prokuroria e Elbasanit identifikoi taksisitin, i cili deklaroi “isha taksist , erdha në Tiranë nga Lezha dhe mora nga Flamur Rrushi çantën. E pyeta fillimisht nëse është gjë e rrezikshme dhe më tha jo. Kur ia dhashë çantën, më dha 100 euro”, tha taksisti, i cili u la i lirë.
Por kjo nuk është hera e parë që Florian Gjergji përdor këtë skemë për të mashtruar dhe zhvatur para.
Një vit më parë ai i shkruante përmes aplikacionit “Telegram” një biznesmeni, duke u prezantuar si kryebashkiaku i Vlorës Ermal Dredha.
“Jam Ermal Dredha dhe më duhen 35 mijë euro”, shkruante ai, duke lënë edhe takim në një qendër tregtare.” – raportohet tutje.
Gjergji raportohet që dyshohet se ishte organizatori i kësaj skeme mashtrimi.
Në 4 operacione të ndryshme të Njësisë “E” në Policinë e Shtetit për këto krime u arrestuan 11 persona, pjesa më e madhe e të cilëve kishin role dytësore në mashtrim.
Në operacionin e parë të koduar me emrin “Signal” ranë në pranga Jasmin Pepaj, Rezart Pepaj dhe Sherif Kadroviç.
Tre të rinjtë shkodranë tentuan që përmes një mesazhi ku prezantoheshin me emrin “Edi” të mashtrojnë biznesmenin e ndërtimit Pëllumb Salillari duke i kërkuar 130 mijë euro.
Në rastin e fundit ku tentoi të mashtroj Ram Gecin, pasi Florian Gjergji ishte prezantuar si Erion Veliaj dhe se kishte nevojë për 100 mijë euro, kishte pajtuar Bedri e Albert Vodhën, të shkonin të merrnin paratë që t’ia dërgonin në Gjermani.
Sipërmarrësi Geci e kuptoi shpejt skemën e mashtruesve dhe njoftoi policinë.
Geci ia kaloi komunikimin agjentëve të policisë të cilët kërkuan uljen e shumës në 70 mijë euro dhe lanë takim në qendër të Tiranës, aty ku u prangosën babë e bir.
Edhe pse tashmë janë arrestuar në total 8 bashkëpunëtorë të Florian Gjergjit, personi i konsideruar si truri i grupit ai nuk është kapur.