Kush duhet të prejë Kurbanin?, si duhet të ndahet ai dhe gjëra të tjera rreth prerjes së Kurbanit Festa e Kurban Bajramit është festë shumë e rëndësishme dhe e cila festohet nga myslimanët anë e mbanë botës.
Kjo festë kulmon me therjen e Kurbanit, nga i cili e ka marrë edhe emrin. Tani që jemi në prag të kësaj feste do të sjellim disa fakte rreth prerjes së Kurbanit. Kurbani për myslimanët është adhurim në kohë të caktuar, prandaj edhe vlefshmëria e Kurbanit varet nga zbatimi i këtij obligimi brenda kohës së caktuar.
Siç shpjegojnë hoxhollarët prerja e Kurbanit është mirë që të bëhet nga vetë personi, i cili ka bërë nijet të therë kurban. Sipas tyre, nëse ka njohuri dhe mundësi për therjen e tij, e nëse nuk mundet apo nuk dinë të therë kurbanin atëherë është më mirë të ndihmohet nga dikush tjetër.
Nëse dikush tjetër e therë Kurbanin, atëherë është mirë që zotëriu i kurbanit të qëndrojë pranë tij dhe ta sheh atë duke e therë, sepse i Dërguari i Allahut a.s. i kishte thënë Fatimes r.a., bijes së tij: “Oj Fatime, ngrihu dhe shihe kurbanin tënd, sepse të falen mëkatet me pikën e parë të gjakut që bie në tokë” dhe thuaj: Vërtetë namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë për Allahun e të gjithë botëve, Ai është i pa shok, me Atë jam i urdhëruar e unë jam nga muslimanët.”
Sipas shpjegimeve, çdo mjet prerës, i cili pret që shkakton daljen e gjakut mund të përdoret për mjet prerës dhe mishi i tillë është i lejuar, por gjatë therjes është mirë që mjeti therës të jetë i mprehtë e të mos e mundojë kurbanin.
Personi që vendos të presë kurban është mirë që të marrë abdes dhe t’i fal dy rekate namaz nafile dhe para se ta presin kurbanin ta thotë lutjen: “Bismil-lahi All-llahu ekber. All-llahumme hadha minke ve leke. In-ne salati ve nusuki ve mahjaje ve mematil lil-lahi rabbil-alemin. La sherike lehu ve bidhalike umirtu ve ene ev-velul-muslimin. All-llahumme tekabbel min-ni kemma tekabbelte min halilike Ibrahime ve min Muhammedin alejhisselam”.
Pas kësaj lutjeje, Kurbani duhet të kthehet nga kibla dhe të thuhet “Bismil-lahi All-llahu Ekber” e të therret duke ia prerë zorrën e ushqimit, të frymëmarrjes dhe dy venat kryesore që kalojnë përmes qafës. Mbasi të prehet, atëherë është mirë të këndohet tekbire deri në daljen e shpirtit përfundimisht të Kurbanit. Tekbiri shqiptohet kështu: All-llahu Ekber, All-llahu Ekber. La ilahe il-lall-llahu vall-llahu ekber. All-llahu ekber ve lil-lahil hamd”.
Si bëhet ndarja e mishit të Kurbanit? Siç edhe shpjegojnë hoxhollarët, mishi i Kurbanit duhet të ndahet në tri pjesë: një pjesë për vete, një pjesë t’i shpërndahet të afërmve dhe pjesa tjetër të varfërve. Ndërsa, Kurbani që pritet për të vdekurin duhet që i tërë mishi i Kurbanit të shpërndahet. Po ashtu, nuk lejohet që të shitet mishi i Kurbanit.
Siç transmetohet, me shpërndarjen e mishit të Kurbanit në ditën e Bajramit njëkohësisht shpërndahet edhe gëzimi dhe hareja në shpirtërat e të varfërve dhe familjeve të tyre. Prerja e kurbanit dhe shpërndarja e mishit të varfërve, fqinjëve dhe dashamirëve, përveç dashurisë reciproke, nënkupton edhe gatishmërinë e besimtarit mysliman për të sakrifikuar nga pasuria e tij për hir të Allahut xh.sh.