Izraeli e pranoi planin për t’i dhënë fund luftës në Gazë, thotë ndihmësi i Netanyahut

 

 

Një ndihmës i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Izraeli e ka pranuar një marrëveshje kornizë për ndërprerjen e luftës në Gazë – e cila tani po çohet përpara nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden – ndonëse, sipas tij, ajo ka të meta dhe do ende punë.

Në një intervistë dhënë gazetës britanike, Sunday Times, Ophir Falk, këshilltar kryesor i Netanyahut për politikë të jashtme, tha se propozimi i Bidenit është “një marrëveshje për të cilën ramë dakord – nuk është një marrëveshje e mirë, por duam shumë që pengjet të lirohen, të gjithë prej tyre”.

“Janë shumë detaje për t’u përpunuar”, tha ai, duke shtuar se kushtet izraelite, përfshirë “lirimin e pengjeve dhe shkatërrimin e Hamasit si një organizatë terroriste gjenocidale”, nuk kanë ndryshuar.

Izraeli nisi fushatën e ashpër të sulmeve në Gazë, tetorin e kaluar, pasi Hamasi – organizatë e shpallur terroriste nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – sulmoi i pari tokën izraelite, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë pengje qindra të tjerë.

Në Gazën që kontrollohet nga Hamasi, bombardimet izraelite dhe ofensivat tokësore vranë mbi 36.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë atje.

Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se nëse Hamasi bie dakord me marrëveshjen për t’i dhënë fund luftës në Gazë, Uashingtoni pret që edhe Izraeli ta pranojë atë.

“Ky ishte një propozim nga Izraeli. Pritjet tona janë që nëse Hamasi pajtohet me të, atëherë edhe Izraeli do të thotë po”, tha Kirby në një intervistë për rrjetin televiziv, ABC News.

Në fund të javës së kaluar, presidenti Biden dha hollësi për planin me tri faza, i cili, siç theksoi, është një plan i Qeverisë së Izraelit për t’i dhënë fund luftës në Gazë.

Faza e parë, tha ai, do të përfshinte armëpushimin dhe lirimin e një numri të personave që po mbahen peng.

Faza e dytë, ndërkaq, do të përfshinte lirimin e të gjitha pengjeve të mbetura gjallë, dhe e treta tërheqjen e ushtarëve izraelitë nga Gaza.

Hamasi tha se e mirëpret nismën e presidentit Biden.

“Fjalimi i Bidenit përfshinte ide pozitive, por ne duam që propozimi të materializohet brenda kornizave të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, e cila i plotëson edhe kërkesat tona”, tha zyrtari i lartë i Hamasit, Osama Hamdan, për rrjetin Al Jazeera.

Hamasi kërkon garanci se do t’i jepet fund ofensivës në Gazë, se do të tërhiqen të gjitha forcat izraelite, se do të ketë lëvizje të lirë për palestinezët dhe se do të ketë ndihma për rindërtimin e Gazës.

Këto zhvillime ndodhën derisa në Rafah të Gazës pati sulme intensive gjatë fundjavës.

Sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRWA, të 36 strehimoret e saj në zonën e Rafahut janë boshe, pasi banorët u detyruan të largoheshin.

Mbi 1.7 milion njerëz të tjerë vlerësohet të jenë të zhvendosur në Kan Jonis dhe pjesë të Gazës qendrore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d