Irani s’heq dorë nga hakmarrja, mund të sulmojë këtë javë, reagon Izraeli

 

 

Diplomacia e ethshme e Perëndimit, duket se nuk do të ndalë Iranin të vë në zbatim, hakmarrjen e planifikuar pas vrasjes së liderit politik të Hamasit, Ismail Hanijeh. Sipas Shtëpisë së Bardhë, një sulm nga Teherani apo milicitë e mbështetura prej tij në rajon mund të ndodhë që këtë javë. Pohimi konfirmon deklarata e qeverisë izraelite që tha më herët se kishte shumë gjasë që sulmi të ndodhte shpejt.

“Duhet të jemi të përgatitur për ato që mund të jenë një seri e konsiderueshme sulmesh. Për këtë arsye kemi shtuar praninë dhe kapacitetet tona në rajon në vetëm pak ditë”, tha John Kirby, këshilltar për Sigurinë Kombëtare.

Përmes një deklarate të përbashkët Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe, i bënë thirrje Iranit të përmbahet nga sulmet kundër Izraelit. Por Irani refuzoi t’i bindej kërkesës së europianëve, duke i kritikuar atë për mungesë të logjikës politike dhe rënie në kontradiktë me parimet e ligjit ndërkombëtar.

“Pa asnjë kundërshti ndaj krimeve të regjimit sionist, deklarata e tre vendeve europiane i kërkon me paturpësi Teheranit të mos i përgjigjet shkeljes së sovranitetit dhe integritetit të tij territorial”, deklaroi Ministria e Jashtme e Iranit.

E ndërsa Irani duket i vendosur të mos tërhiqet, as Izraeli nuk ka ndërmend ta bëjë. Radio e Ushtrisë pretendon se vendi u ka dërguar një mesazh SHBA-së dhe disa shteteve europiane, për t’ia bërë të qartë se çdo sulmi të drejtpërdrejtë nga ana e Iranit do t’i përgjigjet me një sulm në territorin e Iranit. Burime jo zyrtare theksojnë se Tel Avivi ka sqaruar se është i vendosur të godasë Teheranin edhe nëse sulmet iraniane nuk do të shkaktojnë viktima.

Mesazhi synon të ndalë presionin e komunitetit ndërkombëtar që të mos i kundërpërgjigjet me forcë sulmit iranian./a2cnn/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d