IPK has në parregullsi, policët me pajisje të skaduara

 

 

Ndërmarrjen e veprimeve urgjente për furnizim me uniforma të zyrtarëve policorë në Fushë Kosovë, e ka kërkuar Inspektorati Policor i Kosovës.

Në raportin e inspektimit për stacionin policor për këtë komunë janë evidentuar edhe një sërë mungesash të tjera që kanë të bëjnë kryesisht me gjëra elementare.

Çështje që lidhen me masat e sigurisë dhe me cilësinë jo të kënaqshme të funksionimit të zinxhirit komandues.

Aty theksohet po ashtu se zyrtarët policorë shpesh kanë blerë vetë këpucë ose çizme për punë dhe se spreji e antiplumbat që kanë në përdorim janë me afat të skaduar.

“IPK-ja ka inspektuar pesë zyrtarë policorë për të parë nëse kujdesen dhe mirëmbajnë armët e pajisjet, përfshirë edhe municionin. Pistoletat kanë rezultuar të pastra, spreji kimik dhe jelekët antiplumb, tek zyrtarët e pajisur janë hasur me afat të skaduar, fishekët janë ndërruar dhe janë zyrtarë. Sa i përket sprejt, duhet pasur parasysh, se përdorimi eventual i atyre me afat të skaduar, mund të ndikojë në shëndetin e personave, me të cilët mund të ketë ballafaqim”.

Si rrjedhojë e kësaj IPK-ja ka nxjerrë katërmbëdhjetë rekomandime për këtë stacion gjysma e tyre për Drejtorinë e Logjistikës për të përmirësuar qasjen në trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe për ruajtjen e dhomës së dëshmive.

Në mesin e tyre janë furnizimi urgjent me uniforma, spreje, lekë, anti-plumb dhe radiolidhje.

Telashe të njëjta kanë edhe zyrtarët policorë në stacionin në Istog e Malishevë.

Edhe në raportet e inspektimit për këto dy komuna evidentohen mungesat e gjërave elementare: përdorimi i sprejit e jelekut antiplumb me afat të skaduar.

Ndërsa në raportin për Komunën e Istogut thuhet se IPK-ja nuk ka mundur të nxjerrë opinion për mbikëqyrjen e rasteve të arrestit shtëpiak e urdhër ndalimeve që lëshohen nga gjykatat.

“IPK-ja nuk ka mundur të japë opinion për kohën mesatare mbi veprimin e parë policor prej momentit të pranimit të urdhëresës së lëshuar nga gjykatat për shkak të mungesës së raporteve policore për veprimet e ndërmarra. Është e nevojshme të fillohet me praktikimin e raporteve për veprimet e ndërmarra, vizita tek palët drejt realizimit të urdhëresave”.

Në anën tjetër, ish-kryeshefi i IPK-së, Valdet Hoxha thotë se gjetjet në këto raporte duhet të merren me seriozitet sepse parregullsitë e evidentuara ndikojnë drejtpërdrejt edhe në jetën e punonjësve të policisë.

“Konstatimi për mungesën e pajisjeve të tilla, siç janë: sprej, antiplumb, probleme me vetura e të ngjashme, ndikojnë në rrezikimin e jetës së punonjësve të policisë në situatat kur ballafaqohen me të dyshuar për kryerjen e veprave të ndryshme penale”.

Policia e as Ministria e Punëve të Brendshme nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e Dukagjinit nëse kanë pranuar këto raporte dhe nëse do të adresohen rekomandimet e dhëna nga inspektorati policor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d