Informatat e rrejshme alarmojnë gazetarët, tre prej tyre “shpallen” të vdekur

 

 

Tre gazetarë kosovarë janë “shpallur” të vdekur përmes disa lajmeve të rreme të cilat kanë qarkulluar në rrjetin social Facebook.

Shpërndarja e informacioneve të rreme, sipas të cilave gjoja kanë ndërruar jetë tre gazetarët Adriatik Kelmendi, Valon Syla e Vehbi Kajtazi, kanë alarmuar Asociacionin e Gazetarëve.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka thënë se një sërë foto-montazhesh janë shfaqur sot në rrjetet sociale, në të cilat shihen fytyra e disa prej gazetarëve kosovarë, përcjellur me mesazhe të sajuara, por me logo të vërteta të disa prej medieve kosovare.

“Në to, zakonisht është përdorur rrejshëm logoja e medias së pavarur serbe nga Mitrovica Veriore, Kossev. Ndërkohë, linqet e supozuara të lajmit përfshijnë media si Zëri, Telegrafi, Kosova Sot, dhe të ngjashme”, tha AGK-ja.

Në këto lajme të rrejshme shkruhet “I themi lamtumirë” dhe emrat e tre gazetarëve, veç e veç.

“Ne i themi lamtumirë Valon Syla. E gjithë Kosova është në zi…”, shkruhet në mbishkrimin e lajmeve të rrejshme, të cilat janë publikuar në Facebook.

Në një tjetër postim të rrejshëm, të ndërlidhur me emrin e gazetarit Vehbi Kajtazi, raportohet kinse për “një lajm shokues”.

“A keni dëgjuar për fundin tragjik të Vehbi Kajtazit?”, shkruhet në këtë lajm të rremë.

Gazetari Valon Syla, në një reagim në rrjetet sociale, e cilësoi këtë një fushatë sulmuese të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet.

“Sulmet e faqeve fallc që vinë me urdhëra me gjasë të pushtetit të VV nuk po ndalen”, tha ai. “Isha në pushim dhe spo e di se çka paska ndodhur, por nga mëngjesi po me kontaktojnë monitoret e mediave dhe Facebook dhe shoqata e gazetarëve për të më alarmuar”.

Edhe juristja e mediave, Flutura Kusari u shpreh e shqetësuar me shpërndarjen e këtyre informacioneve të rrejshme në rrjetet sociale.

Ajo tha se këto informata janë duke u plasuar në mënyrë “shumë të sofistikuar”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d