Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është përballur me një situatë të pakëndshme dje në aeroportin e Shkupit. Gjësendet personale të presidentes është tentuar të kontrolloheshin në aeroport, gjë të cilën Osmani s’e ka lejuar.
Për të evituar këtë situatë ajo ka kërkuar ndihmën e kryeparlamentarit të Maqedonisë Veriore, Afrim Gashit, shkruan Indeksonline. Profesori univeristar në Fakultetin Juridik, Kolë Krasniqi, ka treguar anën ligjore të këtij kontesti.
Krasniqi ka thënë se bagazhi diplomatik nuk mund të hapet dhe as të mbahet.
“Sipas Konventës se Vjenës për marrëdhëniet diplomatike, bagazhi diplomatik nuk mund të hapet dhe as të mbahet!
Të gjitha objektet e bagazhit diplomatik duhet të shënohen dhe shenjat e tilla duhet të jenë të dukshme edhe nga jashtë. Bagazhi diplomatik mund të përmbajnë vetëm dokumente diplomatike ose sende të destinuara për përdorim zyrtar. Në të gjitha rastet personeli diplomatik duhet të ketë me vete një dokument zyrtar që tregon pozicionin e tij dhe numrin e bagazheve diplomatike.
Bagazhi diplomatik i nënshtrohet kontrollit vetëm nëse ka arsye serioze për të dyshuar që mund të përmbajë gjëra importimi apo eksportimi i të cilëve është i ndaluar me ligj. Një kontrolle të tillë, para disa viteve, e kishte bëre edhe EULEX-i, kur e kishte ndaluar një suitë diplomatike qe udhëtonte ne drejtim te aeroportit te Prishtinës, nën dyshimin se transportonin para kesh dhe gjera tjera te ndaluara”, ka thënë profesori Krasniqi.