Dhuna ndaj grave vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese dhe viktimat janë zakonisht gratë. Ato dhunohen në forma të ndryshme, kryesisht nga bashkëshortët e tyre. Një video e shpërndarë në rrjete sociale, ku një burrë flet për dhunën që ushtron ndaj dy grave, me të cilat thotë se jeton, tashmë është bërë virale.
I dyshuari që flet publikisht dhe e promovon dhunën, pritet të përballet me hetim kundër tij. Një gjë e tillë tashmë është konfirmuar nga Policia e Kosovës në një përgjigje për Sinjalin.
Burri që thotë se vjen nga familja Meta, në një bisedë që ka pasur me një gazetar, me krenari flet për martesën e tij me dy gra dhe dajakun që ushtron ndaj tyre.
Ai ka treguar raste specifike kur i ka rrahur dy gratë, me të cilat thotë se jeton, e madje ia ka shtyrë që edhe ato të futen në sherr mes vete.
Duke folur publikisht për dhunën, ai ka shkuar edhe më tej, në tentativë që të shfaqet si i fortë ndaj shtetit – se nuk ia ka frikën Policisë.
Madje, i njëjti ka pretenduar se në një rast, zyrtari policor që kishte intervenuar pas denoncimit për dhunë, i është drejtuar gruas se “mos fol se vallahi të rreh burri”.
“Nuk guxojnë as me hanger, i rrehi more dyjat i sakatoj, e knaqi shuplaka këtë dytën për arsyeje se e nguc gruan e parë. Ajo e para më tha a ia japë një shuplakë, jepja bre q…. nanën se e nguci. Kjo e din se çka i kam bërë, i ka tregu kësaj të dytës, unë nuk jam bash qashtu. Qashtu e lypke ajo. Unë më shumë tutna kësaj në tokë se sa policisë, unë nuk e nguci kërkon, po me duru nuk e duroj kërkon. Rastin me policinë, shkojnë e thirrin policinë, ata kishin qenë të komunës së Lipjanit kur e murrëm vesh mbiemrin “Meta”, kusheri jemi, edhe ti si une. Polici i tha gruas time mos fol se vallahi të rreh burri. Thash po valla ja boj sabah këtu para policisë. Polici 200 euro thash mshile se gojën ta shkyj”, thotë i njëjti.
Deklaratat e tilla dhe konfirmimi me zë e figurë se kryer veprën penale “Dhuna në familje”, do t’i kushtojnë burrit të dyshuar. Ndaj tij pritet të ndërmerren veprime hetimore nga Policia në koordinim me Prokurorin e Shteti.
Gazeta ka kërkuar përgjigje nga Policia nëse është vepruar për këtë rast dhe cilët janë hapat konkretë që janë marrë.
Edhe pse s’kanë dhënë detaje specifike, nga Policia kanë bërë të ditur se rasti është adresuar në stacionin policor dhe tutje do të ndërmarrin veprimet e nevojshme.
“Ju njoftojmë se çështja është adresuar dhe përcjellë tek rajoni, stacioni kompetent policor për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme. Pas pranimit te informacioneve shtese lidhur me veprimet apo rezultatet do te njoftoheni nga kompetentët”, tha Policia në një përgjigje për Sinjalin.
Kujtojmë se të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë se, vitin e kaluar, janë raportuar 2.460 raste të dhunës në familje, me viktima kryesisht gratë.
Ndërkaq, nga viti 2010 deri në prill të këtij viti janë identifikuar në total 57 gra të vrara. Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.