“I ngeci kapela e duksit në helika”, Inspektorati tregon se si vdiq 19-vjeçari në vendin e punës

Një 19-vjeçar ka vdekur në vendin e tij të punës, para më shumë se një muaji, në fshatin Budrikë të Parteshit. Nga Inspektorati i Punës kanë folur për Gazetën se si ka ardhur deri te aksidenti. Dyshimet janë se kapela e duksit që e mbante të veshur i ndjeri kishte ngecur në helikat e hynkës së betonit, ku ai dyshohet se ka rënë.

Muajin e kaluar, një aksident tragjik ka ndodhur në një vend pune në rajonin e Gjilanit, ku si pasojë ka humbur jetën një 19-vjeçar. Vendpunishtja ndodhej në fshatin Budrikë të Komunës së Parteshit.  Për dyshimet se si erdhi deri te aksidenti, kanë folur nga Inspektorati i Punës.

Sipas Inspektoratit, i ndjeri ishte duke punuar në linjën e prodhimit të betonit, te mikseri.

Duke iu referuar deklaratave të dëshmitarëve, nga Inspektorati thonë se deri te aksidenti dyshohet të ketë ardhur si pasojë e kapelës së duksit që e mbante të veshur i ndjeri, që kishte ngecur në helika.

“Deri te aksidenti sipas deklaratave te dëshmitarëve ka ardhur si pasoje e kapelës së duksit të cilin e mbante veshur i ndjeri, e cila kishte ngecur në helikat të cilat ishin të vendosura në pjesën e poshtme të Hynkës metalike”, ka deklaruar për Express,  Muhabere Konesha, e cila është zv.Udhëheqëse e Divizionit për Koordinim në rajonin e Gjilanit.

Nga ky institucion kanë fajësuar edhe punëdhënësin, “Linda Group SH.P.K”, për moszbatim të Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë.

“Aksidenti ka ndodhur për shkak se nuk janë ndërmarrë të gjitha masat nga lëmia e sigurisë dhe shëndetit në punë pra punëdhënësi nuk ka zbatuar dispozitën ligjore të nenit 6 paragrafi 1 dhe 2 të Ligjit për Sigurinë dhe Shendetin në Punë Nr.04/L-161”, thuhet në përgjigje.

Në Nenin që i referohet Inspektorati, paragrafi 1, thuhet se “Në kuadër të përgjegjësive të tij, punëdhënësi detyrohet të ndërmarrë masat për siguri dhe shëndet në punë, përfshirë masat për parandalimin e rreziqeve profesionale, sigurimin e informatave, trajnimeve të të punësuarve për punë të sigurtë, udhëzimet e duhura për përdorimin dhe mirëmbajtjen e makinerive, instrumenteve, pajisjeve dhe veglave të punës, masat për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit të punës.”

“Punëdhënësi duhet të veprojë në vazhdimësi në përmirësimin e kushteve të punës për të ngritur nivelin e sigurisë dhe shëndetit në punë, duke i ndryshuar dhe plotësuar masat e ndërmarra më pare varësisht prej rrethanave të cilat krijohen me ndryshimet e proceseve teknike – teknologjike”, thuhet në paragrafin 2.

Rasti po hetohet edhe nga Prokuroria e Gjilanit. Rasti është iniciuar si ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’

“Prokurori kujdestar ka dhënë urdhër që trupi i pa jetë i viktimës të dërgohet për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë dhe ka autorizuar policinë që të ndërmarrin veprime tjera hetimore në lidhje me këtë çështje”, kanë bërë të ditur nga Prokuroria e Gjilanit.

Sipas Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, aktivitet kryesor i kompanisë ku punonte 19-vjeçari është prodhimi i tullave, tjegullave dhe produkteve ndërtimore në argjilë të pjekur, derisa aktivitet sekondar është prodhimi i produkteve të betonit për qëllime ndërtimi.

Kapitali i kësaj kompanie figuron të jetë 300 mijë euro. Kompania është regjistruar në ARBK në vitin 2015./Prishtina Sot/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d