Gazeta ka raportuar sot ekskluzivisht për arrestimin e Besnik Ukaj, të shumëkërkuarin nga Policia e Kosovës.
Ai është kapur më 15 korrik rreth orës 16:00 nga Policia në Fushë Kosovë.
Të njëjtit pas intervistimit dhe ndalimit, dje i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji, raporton Gazeta Sinjali.
Kush është Besnik Ukaj?
Ukaj është emër tjetër i njohur për organet e rendit. Ai është nga fshati Korishë i Prizrenit, dhe ishte shpallur në kërkim për tentim vrasjen më 17 maj në Nashec të Prizrenit.
Për motive dhe në rrethana akoma të paqarta, Ukaj e la të plagosur Jeton Ahmetajn dhe arriti që të largohet nga vendi i ngjarjes.
Më 29 maj 2024, Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren me qëllim të identifikimit dhe lokalizimit të tij, lëshoi kërkesë për bashkëpunim me qytetarët, për kapjen e Ukajt.
Besnik Ukaj është hetuar edhe për rastin e rrahjes brutale më 22 janar 2022 në Prizren, për çka Gazeta Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht atë kohë.
Ukaj po ashtu ka qenë i dënuar për vrasjen e Salajdin Ukimerit, rojës së pompës së benzinës “Alba Petrol”, më 21 maj 2008 në Prizren.