Heqja e masave – BE lë të kuptohet se veprimet e “njëanshme” në veri, mund të kenë efekt negativ për Kosovën

 

 

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në mënyrë indirekte ka lënë të kuptohet se veprimet e fundit të autoriteteve të Kosovës në veri, të cilat BE-ja i konsideron të njëanshme, mund të kenë ndikim negativ në mundësinë e heqjes së masave ndëshkuese ndaj Kosovës, të vendosura tash e një vit.

“Fakti që BE-ja vendosi masa kundër Kosovës vitin e kaluar është pasqyrë e hapave që çuan në përshkallëzim. Tani shohim më shumë hapa të njëanshëm dhe më shumë veprime të pakoordinuara. Ky nuk është në të vërtetë de-përshkallëzimi. Kjo çon në përshkallëzim të mëtejshëm. Këtë duhet ta kuptojnë qartë ata që marrin vendime në Prishtinë”, ka thënë Stano.

Policia e Kosovës pas një aksioni të zhvilluar të hënën në veri, ka mbyllur disa zyre të Postës së Serbisë, pasi ushtronin funksionin e tyre pa licencë dhe të pa regjistruar në ARBK.

Kosova u kritikua nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si vendime të njëanshme dhe të pakoordinuara.

Zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, i cili është edhe kryenegociator i Kosovës në dialogun me Serbinë në një reagim të tij në Facebook, mbrojti aksionin policor duke theksuar se “Posta e Serbisë ka vepruar ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës”.

Bislimi tha se fakti që në një marrëveshje paraprake ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishte dakorduar të diskutohet për çështjen e Postës, “kjo nuk nënkupton që ndërkohë Posta e Serbisë të vijojë operimin ilegal në vend”.

“Asgjë nuk nënkupton të drejta, apo tolerim të entiteteve ilegale në vend. Kjo assesi nuk mund të jetë e pranueshme dhe e lejueshme për shtetin tonë, e parimisht nuk do të duhej të ishte e pranueshme as nga ana e Bashkimit Evropian”, shkroi Bislimi.

Kosova vazhdon të jetë nën masa ndëshkuese të Bashkimit Evropian prej verës së vitit 2023, të cilat blloku i vendosi si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët lokalë, nisën detyrën e tyre në komunat në veri.

Shumica e shteteve të BE-së ishin në favor të heqjes së plotë të këtyre masave, siç edhe ka rekomanduar Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në raportin që u dorëzoi vendeve anëtare më 18 qershor.

E tashmë kur është bërë mbi një muaj nga dorëzimi i këtij raporti, ende nuk ka ndonjë vendim nga blloku evropian për masat ndaj Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d