Mbi 150 pjesëtarë të Policisë së Serbisë të armatosur rëndë thuhet se janë në kërkim të vrasësit të policit dhe plagosjes së një tjetrit në Loznicë mëngjesin e së enjtes.
Mediat serbe raportojnë se policët janë të armatosur me armë të gjatë dhe se rrugët e Loznicës janë të stërmbushura me policë.Po ashtu në fotografitë e publikuara së fundmi shihen edhe patrullimet me helikopter në zonën kufitare me Bosnjë Hercegovinën.
Në sulmin në Loznicë ka mbetur i vrarë polici Nikolla Krsmanoviq (34-vjeç), ndërsa kolegu i tij Vjekoslav Iliq (50-vjeç) është plagosur.
Të shtënat kanë ndodhur gjatë një kontrolli rutinë të taksive nga pjesëtarët e policisë kufitare, ku disa të shtëna nga armët e zjarrit janë qëlluar në drejtim të zyrtarëve të MPB-së.
Autor i vrasjes dyshohet se është Faton Hajrizi, i arratisuri nga burgu i Smrekonicës që nga 6 korriku, mëson ekskluzivisht Paparaci.
Fillimisht autor i dyshuar u tha se është Artan Hajrizi, vëllai i Fatonit, për shkak se në vendin e ngjarjes është gjetur një pasaportë e lëshuar nga autoritetet e Kosovës, me emrin e Artan Hajrizi, dhe një dokument tjetër gjerman identifikimi.