Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haxhi Shala, i cili u arrestua nga Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, do të dalë sot për herë të parë para gjyqtarit të procedurës paraprake, raporton Gazeta Prishtina Sot.
Sipas njoftimit, Shala do të paraqitet në Gjykatë në orën 14:00 dhe seanca do të jetë publike.
Ndryshe, Shala është arrestuar si i dyshuar për krime lufte të hënën, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të fletarrestimit, urdhrit për transferim dhe aktakuzës së konfirmuar të lëshuara nga Specialja.
Prokurorja e Specializuar, Kimberly Ëest, konfirmoi se mbrojtja e dëshmitarëve mbetet një prioritet për ZPS-në.
“Është shumë e rëndësishme që të garantohet që qytetarët e Kosovës të flasin për të thënë të vërtetën dhe pa kërcënime për përvojat e tyre, jo vetëm që ky institucion të jetë i aftë të japë drejtësi, por edhe për sundimin e ligjit në Kosovë,” tha Ëest.
Haxhi Shala u transferua në Qendrën e Paraburgimit të DHSK-së dje, ndërkaq gjyqtari i procedurës paraprake konfirmoi aktakuzën kundër tij më 4 dhjetor 2023.
Sipas aktakuzës së konfirmuar, midis së paku 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, Shala, në bashkëkryerje me individë të tjerë, ndër të cilët Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, u bashkërenduan si grup para dhe pas kontakteve personale të Januzit dhe Bahtijarit me dëshmitarin 1.
Në të thuhet gjithashtu se me udhëzim të Shalës, Januzi dhe Bahtijari u takuan secili më vete me dëshmitarin 1 në dy raste të veçanta për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para Dhomave të Specializuara të Kosovës, ndër të cilat përmes kërcënimit të rëndë apo premtimit për përfitime.
“Sipas aktakuzës, kjo sjellje tregon se Shala synonte ta frikësonte dëshmitarin 1 dhe të pengonte persona zyrtarë, përfshirë prokurorë dhe hetues të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në kryerjen e detyrave zyrtare. Në aktakuzën e konfirmuar Haxhi Shala akuzohet për: (i) frikësim; dhe (ii) tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, individualisht dhe me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale.