Është duke u mbajtur paraqitja e parë e ish-komandant Topit, Haxhi Shalës në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë. Shalës është duke iu lexuar aktakuza e konfirmuar nga prokurorja.
Në aktakuzën e konfirmuar, Haxhi Shala akuzohet për frikësim dhe tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, individualisht dhe me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi.
Sipas Aktakuzës së Konfirmuar, midis së paku 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, Shala, në bashkëkryerje me individë të tjerë, ndër të cilët Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, u bashkërenduan si grup para dhe pas kontakteve personale të Januzi dhe Bahtijari me dëshmitarin 1.
Në të thuhet gjithashtu se, me udhëzim të z. Shala, z. Januzi dhe z. Bahtijari u takuan secili më vete me dëshmitarin 1 në dy raste të veçanta për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para Dhomave të Specializuara të Kosovës, ndër të cilat përmes kërcënimit të rëndë apo premtimit për përfitime.
Sipas Aktakuzës, kjo sjellje tregon se Shala synonte ta frikësonte dëshmitarin 1 dhe të pengonte persona zyrtarë, përfshirë prokurorë dhe hetues të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në kryerjen e detyrave zyrtare.
Gjykatësi gjatë seancës njoftoi se seanca e sotme nuk është gjykim dhe nuk do të paraqiten prova.
“Seanca e sotme nuk është gjykim, nuk paraqiten prova. Nuk diskutohet fajësia apo fajësia. Brenda 30 ditësh nga seanca do të thirret për të pranuar fajësinë apo për tu deklaruar i pafajshëm. Këtë mund ta bëjë edhe sot”, tha gjykatësi.