Fotoreporteri amerikan, Ron Haviv, ka rrëfyer momentet e shkrepjes se fotografive gjatë luftës. Haviv ka thënë se për fat të keq ai ka kapur pamje të shumë varrimeve të cilat, sipas tij kanë qenë të grupeve të njerëzve.
Më tej, fotoreporteri amerikan i ka përshkruar funeralet në Kosovë të atilla që përcillnin emocione të veçanta.
“Nuk më kujtohet fotografia e parë që kam shkrepur, por mendoj që do të duhej të ishte me civilë në vuajtje, viktima. Fatkeqësisht, kam fotografuar shumë varrime këtu, shpesh të grupeve të njerëzve, që ishte shumë më ndryshe nga Kroacia dhe Bosnja. Këtu shpesh vriteshin familjet, bashkërisht, jo individët, një nga një. Funeralet këtu kishin zakonet dhe emocionet e tyre të veçanta, si kudo”.
Haviv tregon se kosovarët ishin të hapur ndaj tij, derisa ka kujtuar pamjet nga funeralet në Reçak për të cilat thotë se përfaqësonin vuajtjen që Kosova po kalonte gjatë asaj periudhe.
“Kosovarët ishin shumë të hapur ndaj meje si fotograf, për mua që t’i tregoj, të ndajë me botën çfarë kanë humbur ata. Sikur e dinin rolin e mediave dhe e kuptonin rolin e tyre si dhe me daljen e UÇK-së, ata kuptuan rolin që media mund të ndihmojë që bota të kuptojë se për çfarë po luftohej. Ka pasur shumë moment kur kemi hasur në njerëz të vrarë, funeralet si në Reçak, vende të tjera…Pamje shumë të rënda. Kufomë pas kufome, familje duke vuajtur…Përfaqësonin vuajtjen që Kosova po kalonte gjatë kësaj periudhe”, ka shtuar ai.