Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani të martën e solli në treg librin e tij më të ri. Në librin e titulluar “Rruga për Damask”, ai ka shkruar edhe për një akuzë të rëndë që doli ndaj tij para një dekade.
Një vajzë kishte pretenduar se Hasani, profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, kishte shantazhuar studente në këmbim të notës. Akuzat nuk u vërtetuan kurrë.
Profesori i së drejtës ndërkombëtare shkruan se videon që doli në vitin 2014 e sajoi dhe e lëshoi në qarkullim kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj përmes militantëve të tij partiakë.
Ai tregon në libër se si mundi ta përballonte këtë, që ai e cilëson maskaradë, duke përmendur mbështetjen e madhe dhe besimin e familjes dhe miqve të tij.
Ndaj tij, siç kujton Hasani, u bë fushatë primitive.
Hasani tregon në librin e tij se nga fundi i vitit të kaluar, një mik i mirë i tij nga Lidhja Demokratike e Kosovës i tregoi se kush qe vajza e cila me kamerën pas koke fliste për të.
Hasani shkruan se e kuptoi që vajza në video kishte përfituar para nga ai gjest. Në libër, profesori përmendi shkroi inicialet e vajzës, të cilën e përshkruan si shantazhuese të lidhur me lidershipin e dalë nga lufta në rajonin e Dukagjinit.
Në Polici, Hasani tregon më tej në libër se e kishte denoncuar Ramush Haradinajn, vëllain e tij, Dautin dhe kryetarin e Gjakovës, Ardian Gjinin.
Më pas thotë se kuptoi që vajza në fjalë ishte partnere e ngushtë e një polici në Pejë. Edhe sot, Hasani tregon në libër se pret që Policia ta ftojë për t’i ofruar provat e tij, për të cilat thotë se janë të pakontestueshme: për vajzën që sipas tij e bëri videon dhe urdhërin për këtë, që ai thotë se e kishte dhënë Ramush Haradinaj.
Për këtë rast, Hasani tregon në libër se po negocion me disa institute jashtë vendit për të zbuluar edhe diçka tjetër në lidhje me të.
Libri “Rruga për Damask” gjendet në shitje në libraritë: “Dukagjini”, “Artini&Toena” dhe “Buzuku” të Prishtinës, si dhe në skriptoren e Fakultetit Juridik të UP-së.