Hapen degë dhe bankomate për serbët e Kosovës afër vendkalimeve kufitare

 

 

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë njoftoi të hënën se Banka e Postës e Serbisë i ka hapur katër degë të improvizuara bankare në afërsi të pikëkalimeve kufitare me Kosovë, në të cilat, sipas saj, serbët e Kosovës mund t’i tërheqin të ardhurat e tyre nga shteti serb.

Sipas një njoftimi, Banka e Postës e Serbisë i ka ngritur degët e improvizuara në pjesën serbe të pikëkalimeve kufitare, Jarinjë, Bërnjak, Konçulj dhe Merdarë.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë tha se ky veprim është bërë me qëllim që serbëve nga Kosova t’u lehtësohet tërheqja e pagesave nga buxheti i Serbisë, të cilat i marrin në dinarë.

Kjo vjen pasi, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) e futi në fuqi një rregullore më 1 shkurt, e cila përcakton që euroja të jetë valuta e vetme për transaksionet e pagesave në Kosovë.

Në bazë të saj, Dogana e Kosovës, dy herë gjatë muajit të kaluar, ndaloi hyrjen e dinarëve nga Serbia në Kosovë, me arsyetimin se nuk e ka miratimin e BQK-së.

Si pasojë, pjesëtarët e komunitetit serb në komunat në jug të Ibrit nuk kanë mundur t’i tërheqin të ardhurat nga buxheti i Serbisë prej mesit të muajit shkurt, ndërsa në komunat në veri të Kosovës është e mundur të tërheqin një shumë e kufizuar parash në sportelet e Bankës së Kursimeve Postare.

Zyra për Kosovën thekson se tani, klientët e Kursimores së Postës në degët e improvizuara në pjesën serbe të katër pikave kufitare me Kosovën, do të mund të kryejnë të gjitha veprimet bankare: tërheqje të pagave, pensioneve, ndihma financiare sociale dhe të ardhurave të tjera, raporton Radio Evropa e Lirë.

Ata gjithashtu mund të kryejnë pagesa në llogaritë në dinarë dhe valuta dhe transaksione të tjera bankare, sipas njoftimit.

Sipas njoftimit, çdo objekt është i pajisur me një bankomat të Kursimores së Postës, ku do të mundësohet tërheqja e mjeteve nga llogaritë e dinarit në çdo kohë.

“Në mbështetje të qytetarëve, banka dërgoi dy degë të lëvizshme me rrota që do të jenë në dispozicion në këto lokacione në përputhje me nevojat e qytetarëve”, thuhet në njoftim.

Shtohet se “kjo zgjidhje teknike është e karakterit të përkohshëm derisa të vendoset funksionimi normal i transaksionit të pagesës në zonat serbe në Kosovë”.

Përveç Kursimores së Postës, dinarët në Kosovë i përdorin edhe zyrat postare që punojnë në sistemin serb, si dhe përdoret edhe në tregti në zonat ku jetojnë serbët.

Bashkësia ndërkombëtare shprehu shqetësimin se vendimi i BQK-së për ndalimin e dinarit mund të ketë ndikim negativ tek serbët e Kosovës dhe se mund të rrisë tensionet etnike, prandaj ka kërkuar shtyrjen e zbatimit rregullores.

Megjithatë, Banka Qendrore e Kosovës ka bërë të ditur se faza kalimtare e zbatimit të rregullores së saj nuk mund të zgjasë më shumë se tre muaj.

Çështja e dinarit ishte edhe temë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më 27 shkurt në Bruksel, i cili përfundoi pa rezultat konkret dhe i dërguari i posaçëm i BE-së Miroslav Lajçak tha se nevojiten takime shtesë.

Për Kosovën çështja e dinarit është çështje e brendshme teknike, ndërsa Serbia ngul këmbë që kjo çështje të zgjidhet në dialogun e Brukselit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d