Hakan Fidan viziton Tiranën, zbardhet agjenda zyrtare

Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Tiranë, të shtrirë në dy ditë, më datë 28 dhe 29 janar.

Kështu ka mësuar Albanian Post përmes burimeve jozyrtare, teksa redaksia ka zbardhur edhe agjendën e plotë të kryediplomatit turk, si edhe agjendën e kryetarit të Bashkisë Stamboll, Ekrem Imamoglu dhe një delegacioni të gjerë shoqërues.

Vizita pritet të jetë e kalibrit më të lartë, ku Fidan fillimisht do të vizitojë Xhaminë e Namazgjasë, financuar nga Qeveria turke, ku do të ketë më tej edhe takime me komunitetin e biznesit turk në Shqipëri.

Këto pritet të zhvillohen përgjatë pasdites së 28 janarit.

Më 29 janar më tej, Fidan do të takojë kryeministrin, Edi Rama, në orën 13:00. Një takim tjetër do të jetë ai me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, në orën 15:00.

Nuk bëhet me dije ende nëse në fund të takimeve do të ketë apo jo konferencë për mediat.

Vetë Fidan largohet nga Shqipëria në orën 16:45.

Sa i tako agjendës së Imamoglu dhe delegacioneve të tjerë pjesëmarrës, ajo do të nisë më 29 janar.

Fillimisht do të ketë një ceremoni në Parkun Olimpik, ku do të priten Delegacionet e B40.

Më datë 30 janar, më tej, do të ketë një pritje, ku do të mbajnë fjalë të rastit edhe presidenti Begaj dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

Kjo, në kuadër të rrjetëzimit të qyteteve ballkanike, njohur si B40, ku Samiti 2024 do të mbahet pikërisht në Tiranë më 29-31 janar.

Pas një takimi dypalësh që Imamoglu do të ketë m Veliajn më tej, do të mbahet edhe një ceremoni për transferimin e Presidencës, ku të pranishëm do të jenë dy kryebashkiakët.

Vizita e Fidan në Shqipëri mendohet të jetë e një rëndësie të lartë, duke parë edhe vizitën e fundit të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan në Shqipëri dhe kërkesës së tij për të luftuar organizatën FETO, të cilën shteti turk e ka shpallur organizatë terroriste.

Xhamia e Namazgjasë dhe inaugurimi i saj po ashtu kanë mbetur “peng” i mosmarrëveshjeve mes bashkësisë myslimane në Shqipëri dhe pritet të shihet nëse do të ketë një çlirim për ta inauguruar zyrtarisht atë më në fund.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d