Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje, raporton Prishtina Sot.
Kështu e ka pësuar mbrëmë edhe familja Xani në fshatin Polac të Skenderajt, ku hajnat kanë hyrë brenda shtëpisë së tyre me forcë.
Burimet e Gazetës kanë bërë me dije se pronari i shtëpisë ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi e ka zbuluar se hajnat kanë vjedhur para të gatshme dhe stoli ari.
Bazuar në dëshminë e tij, të dyshuarit kanë arritur që të vjedhin 15 mijë euro para të gatshme dhe stoli ari në vlerë të rreth 15 mijë eurove.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të dyshuar.
Sipas të njëjtave burime, pronari të shtëpisë i është gjetur një armë që është sekuestruar dhe ndaj tij është hapur rast i veçantë.
Me urdhër të prokurorit, është iniciuar rasti për vjedhjen në shtëpinë e tij, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.