Telashet në familjet kosovare nuk kanë të ndalur. Përditë në Polici raportohen numër i madh rastesh, ku konfliktet mes bashkëshortëve shpesh përfundojnë edhe me dhunë fizike e psikike, për çka nevojitet ndërhyrja e Policisë. Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në një familje në Graçanicë.
Këtë herë, një burrë kërkoi ndihmën e Policisë, duke e denoncuar bashkëshorten e tij për dhunë në familje.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bazuar në dëshminë e viktimës, gruaja e tij ka ushtruar dhunë pas disa mosmarrëveshjeve, e më pas dyshohet se edhe e ka sulmuar fizikisht. Madje, Sinjali mëson se burri ka deklaruar se në ndihmë gruas i ka dalë edhe djali i tyre, që po ashtu dyshohet se e ka goditur babanë.
Si rezultat i denoncimit, çifti janë intervistuar lidhur me rastin dhe kanë dhënë deklaratat e tyre për atë që ka ndodhur.
Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj gruas është iniciuar rasti për “Dhunë në familje”.