Gjykimi i krimeve të luftës, temë diskutimi edhe në vitin 2024

 

 

Edhe në vitin 2024, pritet që temë diskutimi të jenë viktimat civile shqiptare që humbën jetën gjatë periudhës së luftës së Kosovës. Familjarët e viktimave kërkojnë drejtësi. Disa nga ata që dyshohet se kanë kryer disa nga këto krime, janë nën pranga. Ndërkohë që proceset e tjera, edhe pse ngadalë, megjithatë po vazhdojnë.

25 vjet pas, akoma nuk janë zbardhur krimet e luftës në Kosovë, të kryera nga Serbia.

Prokuroria Speciale, departamenti për krime lufte, me marrjen e kompetencave nga UNMIK-u e EULEX-i në vitin 2018 ka ngritur 33 aktakuza që përfshijnë 89 persona, për krime lufte në Kosovë.Masakra e Mejës, e Dubravës , Izbicës, Staradranit, e raste të tjera të krimeve pritet ta gjejnë drejtësinë.

Pas aktakuzave të ngritura dhe pas arrestimit të të dyshuarve, gjykimet kanë nisur.

Gavrilo Milosavljeviq, zyrtar i burgut, është shfaqur në gjykatë, si i dyshuar për krimet në masakrën e Dubravës në vitin 1999.

Në aktakuzën e ngritur më 29 nëntor 2023, thuhet se Milosavljeviq, në cilësi të zyrtarit në Burgun e Dubravës, në bashkëkryerje me persona të tjerë, kishte aplikuar masa represive të vrasjes, rrahjes, maltretimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore ndaj të burgosurve civilë shqiptarë.

Nga 19 deri më 24 maj të vitit 1999 brenda burgut të Dubravës u vranë 160 të burgosur shqiptarë dhe u plagosën më shumë se 300 të tjerë. Kjo masakër zgjati disa ditë…

Nga prokuroria speciale kanë deklaruar se janë 88 të pandehur për Masakrën e Dubravës.

Masakra e Mejës

Hetimet për masakrën e Mejës janë trashëguar nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë – EULEX, që kishte hapur hetim në vitin 2013 kundër 18 personave.

Ky rast u pranua nga prokuroria në vitin 2018, prokurorët vendas e kanë vazhduar hetimin, duke e zgjeruar atë edhe për 35 persona të tjerë, numri total aktualisht është 53.

Nga Prokuroria Speciale kanë deklaruar se hetimi ka vërtetuar se në periudhën 27 deri 29 prill 1999 ishte zhvilluar një operacion sistematik i përbashkët dhe mirë i organizuar i ushtrisë jugosllave dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, përcjellë edhe me grupin paramilitar, aty janë vrarë 370 civilë, që nuk merrnin pjesë në luftime në momentin e vrasjes. Viktimat ishin nga fshatrat e trevës Reka e Keqe.

Rasti Izbica

Ata që mbetën gjallë kanë dëshmuar për masakrën e Izbicës, në gjykimin ndaj të akuzuarit për krime lufte Muhamet Alidemaj. 47-vjeçari Alidemaj u ndalua si i dyshuar, si pjesëmarrës në masakrën e Izbicës, ku u vranë 147 civilë shqiptarë.

Alidemaj ngarkohet se kishte marrë pjesë bashkë me policë dhe ushtarë serbë në vrasjen e civilëve shqiptarë në masakrën e Izbicës që ka ndodhur në mars 1999 e ku ishin vrarë e masakruar mbi 130 shqiptarë.

Dëshmitarët në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rastin “Masakra e Izbicës” kanë deklaruar se akuzuari Alidemaj ka qenë prijës i masakrës së Izbicës. Gjykimi ndaj të akuzuarit po vazhdon në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ndërsa në gjykimin për masakrën e Staradranit, në gjykatë morën pjesë dhjetëra të dëmtuar, para të akuzuarit për krime lufte Ekrem Bajroviq. Ata kanë deklaruar se po kërkojnë drejtësi për personat e vrarë civilë të nacionalitetit shqiptar nga policia serbe më 8 maj 1999. Në ekzekutimin e këtyre viktimave mori pjesë edhe Ekrem Bajroviq.

Sipas Prokurorit Ilir Morina, i pandehuri Bajroviq në periudhën 98-99 në Komunën e Istogut, në bashkëkryerje me persona të tjerë ende të paidentifikuar, në cilësinë e policit në stacionin policor në Gjurakoc, ka shkelur rëndë rregullat e së drejtës ndërkombëtare kundër popullsisë civile dhe pasurisë së tyre

Numri i vogël i prokurorëve dhe mungesa e bashkëpunimit nga ana e Serbisë, për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës, po vazhdon të paraqet problem në punën e prokurorisë speciale.

Në luftën e viteve 1998-1999 mbi 13 mijë civilë besohet se janë vrarë në Kosovë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur. Të pagjetur, edhe sot e kësaj dite, mbeten mbi 1.600 persona – shumica prej të cilëve shqiptarë./Prishtina Sot/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d