Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë Qeverisë për Ligjin për pagën minimale

Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë Qeverisë për Ligjin për pagën minimale, pas shqyrtimit të kërkesës së deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për vlerësim.

Vendimi është bërë i ditur sot nga Gjykata Kushtetuese, pas kërkesës që kishte bërë deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri dhe nëntë deputetë të tjerë.

Sipas publikimit të mërkurën, Kushtetuesja ka vendosur që ndryshimet e ligjeve për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të verbrit, për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë nuk janë në kundërshtim me nenin për barazi para ligjit.

“Gjykata, ka vendosur (i) njëzëri, që të deklarojë kërkesën të pranueshme; dhe (ii) njëzëri, që të konstatojë që neni 2 (Ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit Nr. 04/L-261 për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 05/L-141) i Ligjit të kontestuar, nuk është në kundërshtim me nenin 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (ii) me tetë (8) vota për dhe një (1) kundër, që neni 3 (Ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit nr.04/L-092 për Personat e Verbër) i Ligjit të kontestuar, nuk është në kundërshtim me nenin 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (iii) njëzëri, që neni 4 (Ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit nr.05/L-067 për Statusin dhe të Drejtat e Personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik) i Ligjit të kontestuar, nuk është në kundërshtim me nenin 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (iv) me tetë (8) vota për dhe një (1) kundër, që të konstatojë që neni 6 (Ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit nr.03/L-212 të Punës) i Ligjit të kontestuar, nuk është në kundërshtim me nenin 51 [Mbrojtja Shëndetësore dhe Sociale] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; dhe (v) njëzëri, të shpallë, që në bazë të nenit 43 (Afati) të Ligjit nr.03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Ligji nr.08/L-142 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjeve që Përcaktojnë Shumën e Beneficionit në Lartësi të Pagës Minimale, Procedurat e Caktimit të Pagës Minimale dhe Shkallët Tatimore në të Ardhurat Personale Vjetore, i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.

Ligji i ri i Pagës minimale nuk i përfshin veteranët. Deri tash pensioni i tyre lidhej me pagën minimale që ishte 170 euro. Tash, ajo është rritur në 264 euro, por vetëm për punëtorët.

Vitin e shkuar veteranët patën protestuar kundër këtij ligji. Ata i pezulluan protestat deri në vendim të Kushtetueses.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d