Një incident ka ndodhur mbrëmë pas mesnatës në Prishtinë, ku disa persona janë përfshirë në një përleshje, e cila ka përfunduar edhe me shkrepjen e armës së zjarrit, raporton Gazeta Prishtina Sot.
Rasti ka ndodhur rreth orës 1 të mëngjesit, ku katër persona kanë mbetur të lënduar. Sipas Policisë, një person është lënduar nga arma e zjarrit, ndërsa tre të tjerë kanë mbetur të lënduar si pasojë e përleshjes ku janë përdorur edhe mjetet e forta.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka njoftuar se në lidhje me këtë rast janë arrestuar disa persona, ku 13 prej tyre janë dërguar në mbajtje.
“Sot rreth orës 01:20, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë në rrugën “Lidhja e Pejës” në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.
Bazuar në informacionet e deritanishme raportohet për katër persona të lënduar, njëri prej të cilëve dyshohet të ketë marrë lëndime nga arma e zjarrit ndërsa tre të tjerë kanë pësuar lëndime gjatë përleshjes ku dyshohet të jenë përdorë mjete të forta. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit.
Deri tani nga ana e policisë janë identifikuar, arrestuar dhe dërguar në majtje 13 persona të cilët dyshohet të jenë të përfshirë në këtë rast që është cilësuar si vrasje në tentativë”, ka thënë ajo.