Gjermania po jep 10-14 mijë leje qëndrimi për shqiptarët në vit, e dyta në Europë

 

 

Pas viteve ’90, Italia dhe Greqia ishin streha e emigrantëve shqiptarë që u larguan në kërkim të një pune dhe jete më të mirë. Pas disa vitesh, të ikurit u integruan gradualisht.

Në vitin 2008, Italia dha 63 mijë leje qëndrimi për herë të parë për shtetasit shqiptarë, ndërsa Greqia, 30 mijë. Nga shtetet e tjera, numri i lejeve ishte minimal, p.sh. Franca dha atë vit 404 dhe Gjermania, 461.

Pas periudhës 2008-2009, lejet e qëndrimit dhënë nga këto dy shtete ranë, duke reflektuar frenimin e emigracionit. Por, vala e re e emigracionit që ka përfshirë vendin pas vitit 2016 po tregon një gjeografi shumë më të zgjeruar.

Ndërsa Italia vijon të ruajë kryesimin, me rreth 30 mijë leje në vit, për herë të parë që nga viti 2020, Gjermania ka kaluar si shteti i dytë për nga numri i lejeve që jep për shtetasit shqiptarë. Në 2022, ky shtet dha nivelin më të lartë të lejeve prej gati 16 mijë, ndërsa në 2023, rreth 15 mijë leje.

Greqia në 2023 dha 12.6 mijë leje. Kroacia renditet në vend të katërt (1800), e ndjekur nga Belgjika (1240) dhe Malta me rreth 1200.

Gjermania, Kroacia dhe Malta, destinacione punësimi

Ndërsa në Greqi dhe Itali, arsyeja kryesore e lejeve mbetet ajo familjare, Gjermania, Kroacia dhe Malta po rezultojnë tërheqëse për punësim.

Në 2023, Gjermania dha gati 5 mijë leje qëndrimi për herë të parë për shtetasit shqiptarë (nga 14.8 mijë leje gjithsej). Mjekë, infermierë, specialistët të IT-së apo dhe të tjerë po lënë vendet e tyre të punës në Shqipëri dhe po emigrojnë me kontrata të rregullta në Gjermani. Ky i fundit ka dhënë 10 mijë leje qëndrimi për arsye punësimi në vetëm 2 vjet (2022-2023).

Dy destinacione të tjera që po rezultojë tërheqëse për punonjësit shqiptarët janë Kroacia dhe Malta. Që nga viti 2019, Kroacia jep mesatarisht rreth 2 mijë leje të reja qëndrimi për arsye punësimi për shtetasit shqiptarë. Burimet nga tregu pohojnë se ata punojnë kryesisht në ndërtim, për shkak të pagave të mira, apo dhe në turizëm në sezon.

Malta është shteti tjetër që po tërheq shqiptarë për të punuar, kryesisht në ndërtim dhe turizëm. Në 2022 Malta dha mbi 1800 leje, ndërsa në 2023 numri i tyre ra në gati një mijë.

Pothuajse të gjitha lejet që jepen nga Kroacia dhe Malta janë për arsye punësimi.

Vala e re e emigracionit rriti sërish lejet e qëndrimit

Në vitin 2023 u dhanë rreth 75 mijë leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë nga vendet e BE-së. Një vit më parë ishin dhënë 79.2 mijë leje qëndrimi për herë të parë, sipas Eurostat.

Këto janë nivelet më të larta që nga 2010-a, duke treguar për një përshpejtim të ritmeve të emigracionit pas pandemisë.

Në 2022-2023 janë dhënë gjithsej 154 mijë leje qëndrimi për herë të parë. Duke qenë se një pjesë e madhe e të ikurve janë me kontrata pune, sidomos në shtete si Gjermania, dhënia e lejeve është më e shpejtë sesa dikur, kur shtetasit shqiptarë hynin në vendet e BE-së pa dokumente.

Që nga viti 2008, kur Eurostat raporton të dhënat kanë marrë leje qëndrimi për herë të parë rreth 920 mijë shtetas shqiptarë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d