Gjenerali Romano: Një Kosovë e qëndrueshme është thelbësore për stabilitetin rajonal, palët të angazhohen në dialog

 

 

Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të NATO-s në Beograd, gjeneral Giampiero Romano, tha se një Kosovë e qëndrueshme është thelbësore për stabilitetin rajonal dhe se misioni i NATO-s KFOR është plotësisht i fokusuar në zbatimin e mandatit të OKB-së bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit.

“Misioni i KFOR-it i NATO-s është plotësisht i fokusuar në zbatimin e mandatit të saj të OKB-së bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të vitit 1999, e cila është të sigurojë një mjedis paqësor dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. KFOR është i treti në zinxhirin e reagimit, pas Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX). KFOR ka një qëndrim fleksibël në terren, i cili rregullohet sipas vlerësimit tonë të situatës së sigurisë. Kjo na mundëson të përballemi me të gjitha sfidat që mund të dalin dhe të kontribuojmë për sigurinë në mbarë Kosovën dhe të gjithë rajonin”, tha gjenerali Romano në një intervistë për European Western Balkans.

I pyetur se si reagon NATO ndaj vendimit të SHBA-së për miratimin e shitjes së raketave Javelin në Kosovë dhe çfarë mesazhi i dërgon Beogradit, gjenerali Romano u përgjigj se kjo është një pyetje për ata që e kanë marrë atë vendim.

“Kjo është një pyetje për institucionet e Kosovës dhe SHBA-të, të cilët e morën atë vendim”.

Në vitin e kaluar, në Kosovë kishte sfida dhe kërcënime të shumta të sigurisë. A garanton ende KFOR-i paqen dhe stabilitetin në Kosovë?

Një Kosovë e qëndrueshme është thelbësore për stabilitetin rajonal dhe për sigurinë tonë. Për më shumë se dy dekada, NATO ka kontribuar për paqen dhe stabilitetin në Kosovë. Misioni ynë paqeruajtës, KFOR, ka një mandat të pandryshuar të OKB-së. Ne vazhdojmë të mbështesim një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes, për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Në majin e kaluar, ka pasur dhunë ndaj pjesëtarëve të misionit tonë paqeruajtës të KFOR-it, në të cilën u plagosën 93 ushtarë të NATO-s, disa prej tyre në gjendje të rëndë. Në shtator, një tjetër sulm i rëndë ndodhi në Policinë e Kosovës në Banjskë. Kjo është e papranueshme. Duhet të vërtetohen faktet dhe autorët të dalin para drejtësisë. Prej majit kemi shtuar praninë e KFOR-it në veri të Kosovës, me dislokimin e forcave rezervë dhe patrullave shtesë. Këta janë hapa të arsyeshëm për të siguruar që KFOR-i ka forcën dhe aftësitë e nevojshme për të përmbushur mandatin e tij të OKB-së. Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutaš mbetet në kontakt me shefin e shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjeneralin Milan Mojsiloviq, si dhe me përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të sigurisë në Kosovë, Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (OSBE), OKB-së dhe komunitetit ndërkombëtar. Në të njëjtën kohë, Beogradi dhe Prishtina duhet të marrin masa për të de-përshkallëzuar situatën dhe të përmbahen nga sjelljet e mëtejshme të papërgjegjshme. Ne mirëpresim hapat e fundit pozitivë për targat dhe udhërrëfyesin për marrëveshjet energjetike. Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje të dyja palëve që të angazhohen në dialog nën patronazhin e BE-së, pasi kjo është mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e hapura dhe për të gjetur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Kjo është me rëndësi kyçe për sigurinë dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d