Gjenerali i lartë amerikan, Christopher Cavoli, ka paralajmëruar se Ukraina nuk do të mund ta përballojë e vetme luftën kundër Rusisë, teksa një paketë masive e ndihmës vazhdon të jetë e bllokuar në Dhomën e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara.
Ndihma është bllokuar prej disa republikanëve konservatorë, të cilët besojnë se çështjet e brendshme në SHBA duhet të kenë prioritet.
Gjenerali Cavoli, komandant i Komandës amerikane në Evropë, i ka thënë Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Shërbime të Armatosura, më 10 prill, se përkeqësimi i situatës në Ukrainë “nuk duhet nënvlerësuar” pasi trupat ushtarake në fushëbetejë kanë mbetur pa municion, si dhe kapacitetet për mbrojtje ajrore janë çdo herë e më të zbehta.
“Ukraina nuk mund t’ia dalë vetë. Shtetet e Bashkuara, aleatët tanë dhe partnerët duhet të vazhdojnë të dërgojnë në Ukrainë municione dhe armë”, ka thënë Cavoli.
Trupat ukrainase janë duke racionalizuar përdorimin e municionit teksa forcat ruse e kanë rritur shkallën e ofensivës, ka thënë ai para Komitetit amerikan.