Gjendje alarmante në arsim: Mësimdhënësit në këtë fshat të Pejës e sabotojnë mësimin

 

 

Në shkollën fillore në fshatin Broliq të Pejës, e cila është paralele e shkollës Fan Noli e fshatit Kryshec, nuk është duke vijuar mësimi i rregullt. Mësimi që është dashur të vijonte sot në orën 08:30 të mëngjesit, nuk ka filluar fare.

Kështu tregojnë pamjet brenda hapësirës së shkollës, të cilat i ka incizuar prindi i njërit nga nxënësit, Selman Gashi.

Në video shihet se mirëmbajtësi i shkollës i ka rënë ziles sot në orën 08:30, por asnjë mësimdhënës nuk ndodhej brenda shkollës, tregojnë pamjet.

Në një prononcim për Paparacin, Gashi është shprehur se që nga vjeshta janë duke pasur probleme me sigurimin e drunjve në këtë shkollë dhe se drejtori i Arsimit në Pejë, Naser Gega iu kishte thënë se nuk kanë hapur tender për furnizim me drunj.

“Në këtë shkollë nuk mbahet kurrë mësim i rregullt, në ora 08:30 fillon mësimi por arsimtarët nuk vijnë deri rreth orës 09:00 e ndodh që pas një orë i lirojnë nxënësit dhe shkojnë në shtëpi. Problemin me dru e kemi pas që prej vjeshtës, kemi arrit edhe kryetarin e Pejës me e thirr, e drejtori i Arsimit na ka thanë që nuk kanë tender për dru. I njëjti rast me drutë ka ndodh edhe këtë javë, të shtunën e kemi thirr drejtorin e Arsimit e i kemi thanë që kemi me e publiku rastin në krejt mediat, e osht frikësu, i kanë sjell drutë të dielën”, është shprehur Selman Gashi.

Tutje, ai ka deklaruar se në atë objekt mësimin e rregullt e mbajnë katër klasa të rregullta dhe një klasë parashkollorë, dhe se problemin më mësimmbajtjen e ka diskutuar edhe me drejtorin e shkollës, Canë Gashi.

“I kam thanë drejtorit të shkollës së arsimtarët nuk po e mbajnë mësimin më ka thanë nuk është e vërtetë, i kam tregu që do bëj video e do e publikoj në media, e ai më tha mos e bon se na merr në qafë”, ka deklaruar tutje Selman Gashi.

Lidhur me mbajtjen e mësimit në këtë shkollë dhe problemet me sigurimin e drunjve, Paparaci ka kontaktuar edhe me drejtorin e Drejtorisë së Arsimit në Pejë, Naser Gega.

Ai ka thënë se nuk ka informacione se në këtë shkollë nuk po mbahet mësimi i rregullt, dhe se sipas tij, nuk mund të ketë ndonjë problem me ngrohje.

Ai ka thënë se në këtë shkollë ngrohja bëhet me dru, duke shtuar se me drejtorin e shkollës në Kryshec, Canë Gashi, ka biseduar mëngjesin e sotëm dhe se gjithçka është në rregull.

“Jo, një informatë të tillë nuk e kam se ata nuk kanë nxemje qendrore, ata ngrohen me dru, jo më larg se sot kam kontaktu me drejtorin e shkollës, nuk më tha që e kanë këtë problem. Drejtori i shkollës nuk ma ka dhanë atë informatë se kanë mungu mësimdhënësit sot”, tha Gega për Paparacin.

Ndërsa, Paparaci ka tentuar të bisedojë edhe me drejtorin e shkollës, Canë Gashi, mirëpo i njëjti nuk ka qenë i qasshëm në telefon.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d