Varësia nga droga në Kosovë sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues të substancave narkotike. Por kjo dukuri nuk po i mban imun as personat që janë prapa grilave, sidomos në Burgun e Dubravës – ku raportohen raste më së shumti.
Një rast i tillë është zbuluar sërish në këtë qendër, ku numri i të burgosurve që janë përdorues të drogës po del të jetë i madh. Burimet e Gazetës brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se në rastin e fundit, gjatë ditës së djeshme, oficerët kanë gjetur një sasi të marihuanës brenda një jogurti, që u gjet në tokë.
Rreth 100 gr marihuanë janë sekuestruar, teksa Policia e Prokurori i Shtetit janë vënë në dijeni dhe tashmë është iniciuar hetimi.
Kujtojmë se sikleti për të konsumuar drogë po i detyron të burgosurit që të kërkojnë nga të afërmit të veprojnë kundërligjshëm, për t’iu dërguar vazhdimisht sasi të ndryshme të drogës.