Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ndaluar një person të dyshuar për mashtrim dhe shantazh të një gruaje, i cili u prezantua si person me aftësi fetare shëruese dhe arriti të ia marrë një shumë të madhe parash. Ndaj të dyshuarit, është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit dhe tashmë janë zbuluar detaje të rastit.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, i dyshuari A.B., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore përmes paraqitjes së rreme të fakteve, e mashtron dhe e vë në lajthim personin tjetër, duke e nxitur të veprojë në dëm të pasurisë së saj.
Gjithçka dyshohet se ka ndodhur pasi viktima e kishte vajzën e sëmurë dhe i dyshuari i ‘ofroi ndihmë’ duke iu prezantuar fillimisht si person me aftësi fetare shëruese.
“Në emër të këtij shërimi e dëmtuara i dërgon vazhdimisht të holla përmes agjencionit të transfereve në shumën prej 10,000.00 Franga.
Gjithashtu i pandehuri me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, e kanos personin, se do të zbulojë lidhjen e tyre jashtëmartesore, dhe për këtë i kërkon të holla duke e tërhequr pensionin e Zvicrës dhe të ja sjell të pandehurit.
Kur e dëmtuara kupton se është viktimë e mashtrimit dhe refuzon t’i dërgojë më të holla, i pandehuri, me llogari falso, i dërgon të gjitha fotot dhe videot bashkëshortit të saj, përmes rrjetit social Facebook.” – thuhet në njoftim.
I dyshuari do të hetohet për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Shantazhi”.