Gazetarja spanjolle: Kosova s’ka lidhje me Kataloninë apo baskët, njohja mund të vijë në të ardhmen e afërt

 

 

Kosova ka pak të bëjë me Kataloninë apo vendin Bask. Kështu shkruan gazetarja spanjolle Marta Moreno Guerrero që në krye, në titullin e një artikulli të publikuar në “Kosovo 2.0“.

Gazetarja e pavarur e specializuar në politikat ndërkombëtare shkruan se pasi Spanja njohu pasaportat e Kosovës, është e mundur që Madridi “do të jetë në gjendje ta rifitojë sensin e shëndoshë për Kosovën”, dhe ta njohë atë si shtet “në një të ardhme të afërt”.

Marta Moreno Guerrero kishte qenë e vendosur në Kosovë për tri vjet duke shkruar për politikën e Ballkanit Perëndimor si bashkëpunëtore e mediave në Spanjë. Nga kjo përvojë, ajo tregon se Madridi ka refuzuar ta njohë pavarësinë e Kosovës “për shkak të frikës se mos legjitimon lëvizjet e pavarësisë baske dhe katalanase”.

“Disa mund ta shpjegojnë qëndrimin aktual të Spanjës ndaj Kosovës si një obsesion nacionalist të krahut të djathtë, por e vërteta është më e ndërlikuar”, shkruan ajo.

“Qeveria aktuale, e cila udhëhiqet nga kryeministri Pedro Sánchez, ka negociuar me forcat e pavarësisë katalanase dhe baske. Sánchez është lideri i Partisë Socialiste (PSOE), partia kryesore e majtë e Spanjës. Si kryeministër, ai ka pasur një qëndrim më pak antagonist ndaj forcave të pavarura sesa paraardhësit e tij. Kjo mund të ndikohet nga partitë e tjera të majta me të cilat PSOE u detyrua të hynte në koalicion: Unidas Podemos (UP) gjatë mandatit të mëparshëm të Sanchez dhe SUMAR në mandatin e tij aktual”, shkruan ajo.

Gazetarja spanjolle shpjegon se gatishmëria e Sanchez për të punuar me partitë katalanase dhe baske “duket se ka rezultuar në disa ndryshime në pozicionin e Spanjës në lidhje me Kosovën”. Ajo shpjegon se si kryeministri aktual spanjoll nuk ka refuzuar praninë e përfaqësuesve të Kosovës gjatë takimeve ndërkombëtare. Të kundërtën e kishin bërë paraardhësit e tij.

“Në fakt, kur Sánchez u takua me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në Samitin BE-BB6 në tetor 2021, ishte hera e parë që një lider spanjoll përshëndeti publikisht një lider kosovar”, kujton Marta Moreno Guerrero.

“Njohja e mundshme e Kosovës nga Spanja ka qenë gjithmonë e ndikuar nga politika e brendshme e Spanjës. Në të vërtetë, afërsia e zgjedhjeve spanjolle me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 ndikoi në vendimin e qeverisë për njohje të mundshme. Në atë kohë, qeveria spanjolle ishte e zhytur në negociata me forcat pro-pavarësisë baske, sipas dokumenteve nga Ambasada e SHBA-së në Madrid të zbuluara nga Wikileaks. I janë dashur më shumë se 15 vjet që Spanja të kalojë nga refuzimi për të marrë pjesë në takime ndërkombëtare për shkak të pranisë së Kosovës në pritje të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në La Alhambra (gjatë Samitit BE-WB6 2023, i cili u organizua në Granada)”, shkruan gazetarja spanjolle.

Ajo përmend se me politikat e qeverisë së tij, Sanchez “ka arritur të ndërmarrë hapa gradualë drejt njohjes së ekzistencës së Kosovës si shtet i pavarur pa u dhënë mundësi politikanëve të opozitës që të përdorin veprime të tilla kundër qeverisë së tij”.

Çfarë vjen pas njohjes së pasaportave?

Kësaj pyetje, Marta Moreno Guerrero i përgjigjet duke treguar fillimisht se “fatkeqësisht, komunikimi politik është më shumë i lidhur me populizmin sesa me realitetin dhe Kosova mbetet e lidhur me lëvizjet katalane dhe baske në diskursin politik spanjoll”.

Ajo thekson nevojën që në Spanjë të ketë një “ndryshim shumëdimensional” të mënyrës se si flitet për Kosovën, duke përjashtuar krahasimin me rastin bask dhe katalanas.

“Së dyti, dezinformatat në gjuhën spanjolle rreth Kosovës duhet të marrin fund. Shoqëria civile duhet të jetë e kujdesshme kur i bën jehonë çdo informacioni apo deklarate në mediat sociale apo në dialog personal dhe gazetarët duhet të jenë profesionistë dhe informues kur mbulojnë Kosovën, diçka që shumë media spanjolle nuk e bëjnë aktualisht”, shkruan ajo.

Marta Moreno Guerrero shkruan se keqinformimi është arsyeja pse Spanja ka sjellje kaq frustruese ndaj Kosovës. “Nuk është për shkak të mungesës së diplomacisë së politikanëve spanjollë gjatë këtyre 15 viteve, por për shkak të opinioneve të gabuara që qytetarët spanjollë përhapin çdo ditë”.

“Por ka edhe një realitet tjetër: në shumë raste opinioni publik mund ta ndryshojë politikën. Dhe kush e di – kur miqtë e mi kosovarë vijnë në La Feria këtë verë, ata mund t’ua ndryshojnë opinionet qytetarëve spanjollë duke biseduar me fqinjtë e mi”, shkruan ajo.

Në fund, gazetarja spanjolle shkruan se me pranimin e pasaportës së Kosovës “ka nisur një periudhë mësimi dhe kujtimi për popullin spanjoll“.

“Përmes këtij mësimi, Spanja do të jetë në gjendje të rifitojë sensin e shëndoshë për Kosovën”, shkruan ajo, duke e përfunduar me supozimin se ndoshta, në një të ardhme të afërt, Spanja do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d