Gazetarja refuzon të zbulojë burimin konfidencial të hulumtimeve të saj, gjykatësi e dënon

 

 

gjykatës federal shpalli fajtore gazetaren investigative, Catherine Herridge për mospërfillje të gjykatës, pasi ajo refuzoi të zbulonte një burim konfidencial.

Një seri raportesh investigative nga gazetarja veterane, e transmetuar në kanalin televiziv Fox News kur ajo punonte për këtë rrjet, flet për një shkencëtare kinezo-amerikane e cila ishte hetuar nga FBI-ja por ndaj saj nuk ishin ngritur akuza.

Gjykatësi Christopher Cooper e dënoi atë me një gjobë prej 800 dollarësh në ditë derisa gazetarja Herridge të zbulojë burimin e saj. Gjoba nuk do të hyjë në fuqi menjëherë për t’i dhënë kohë asaj që ta apelojë vendimin.

Gjykatësi Cooper shkroi se ai e “njeh rëndësinë supreme të një shtypi të lirë në shoqërinë amerikane” dhe rolin kritik të burimeve konfidenciale në gazetarinë investigative. Por ai tha se gjykata “gjithashtu duhet të luaj rolin e saj në respektimin e ligjit dhe mbrojtjen e autoritetit juridik”.

“Herridge dhe shumë nga kolegët e saj në fushën e gazetarisë mund të mos pajtohen me vendimin dhe të preferojnë arritjen e një ekuilibri tjetër, por ajo nuk lejohet të shkelë urdhrin e një gjykate federale pa u ndëshkuar”, shkruante gjykatësi Cooper, i cili u emërua në detyrë nga ish presidenti Barack Obama.

Avokati i Herridge, Patrick Philbin, nuk pranoi të komentonte. Rrjeti Fox News tha përmes një deklarate se, “dënimi i një gazetari për mbrojtjen e një burimi konfidencial ka një efekt thellësisht rrëqethës në fushën e gazetarisë”.

Burimi konfidencial po kërkohet nga Yanping Chen, e cila e ka paditur qeverinë për publikimin e detajeve të një hetimi federal në lidhje me deklaratat e saj në dokumentet e imigracionit për punën e saj në një program të aeronautikës kineze.

Gazetarja Herridge, e pushuar nga kanali CBS News, transmetoi në rrjetin Fox News në vitin 2017 një seri investigative që ekzaminonte lidhjet e Chen me ushtrinë kineze. Në serinë investigative ngrihej pikëpyetja nëse shkencëtarja po e përdorte shkollën profesionale që kishte themeluar në Virxhinia për të ndihmuar qeverinë kineze që të siguronte informacione për pjesëtarët e ushtrisë amerikane.

Në vitin 2018, Chen paditi FBI-në dhe Departamentin e Drejtësisë duke thënë se të dhënat e saj personale ishin publikuar në mënyrë të përzgjedhur për të “njollosur reputacionin dhe dëmtuar mënyrën e jetesës së saj”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d