Dje u tërhoq shorti për edicionin e ri të Ligës së Kombeve dhe padyshim se befasia e këtij ediconi është përballja e re mes Zvicrës dhe Serbisë, raporton Prishtina Sot.
Në grupin e katërt të Ligës A, Zvicra u shortua në grup mjaft të vështirë me Spanjën, Danimarkën dhe Serbinë.
Serbinë, helvetikët e kanë mposhtur dy herë radhazi në fazën e grupeve të Botërorit 2018 dhe 2022, në krye me Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin.
![](https://i0.wp.com/sinjali.com/wp-content/uploads/2024/02/sshshs.png?resize=716%2C514&ssl=1)
Por, dy përballje të reja brenda një periudhe të shkurtër duket se nuk janë edhe aq të mirëseardhura për Zvicrën.
Mediumi i njohur, Blick shkruan se dy duelet e fundit kanë qenë mjaft të nxehta, marrë parasysh prejardhjen e Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit.
“Efektet anësore që përballja e tretë dhe e katërt me serbët do të vijnë në një kohë të shkurtër janë megjithatë më pak të mirëpritura: Nëse supozohet se Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri do të jenë ende pjesë e kombëtares së Zvicrës vjeshtën e ardhshme, diskutimi politik do të ngrihet sërish. Për shkak të rrënjëve kosovare të dyshes, të cilat i bëjnë ata armiq në sytë e shumë serbëve. Ndeshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë aktualisht janë të ndaluara për shkak të konfliktit mes vendeve”, thuhet ndër tjera në artikullin e Blick.
Ndeshjet e edicionit të ri të Ligës së Kombeve nisin në muajin shtator.