Fundjava që lamë pas ishte e kobshme për disa familje në vendin tonë, që humbën tragjikisht më të dashurit e tyre. Katër persona vdiqën, tre në aksident trafiku, e njëri si pasojë e energjisë elektrike. Këto raste kanë tronditur gjithë vendin, sidomos për aksidentin që ndodhi te Liqeni i Badocit, ku rruga është e devijuar dhe siguria nuk është në nivel, raporton Gazeta Prishtina Sot.
Ardit Gashi, Rifat Pacolli dhe Shpat Shehu, vdiqën pasi u vetaksidentuan me veturën që po e lëvizte i ndjeri Gashi, në rrugën Prishtinë – Gjilan. Të rinjtë përfunduan në Liqenin e Badocit dhe për orë të tëra u kërkuan nga njësitet përkatëse, por fatkeqësisht u nxorën të pajetë.
Sipas informacioneve të para, shkaktari i aksidentit dyshohet se ishte mospërshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës, që pritet të konfirmohet gjatë hetimit të rastit.
Megjithatë, ka pasur reagime të shumta në rrjete sociale për gjendjen e rrugës, mos rregullimin e saj, përkundër premtimeve të vazhdueshme.
Rasti i trishtë në Vushtrri
Në anën tjetër, një familje tjetër në Vushtrri u trondit me vdekjen e 22-vjeçarit, Endrit Krasniqi.
I riu nga Zhilivoda e Vushtrrisë humbi jetën pasi dyshohet se u godit nga rryma elektrike. Incidenti ndodhi në shtëpinë e tij, në orët e mëngjesit të së dielës.
Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar edhe Policia së Kosovës.
“Njësitë policore menjëherë kanë shkuar në atë lokacion mirëpo viktima në ndërkohë ishte dërguar nga familjarët në Emergjencën e ShSKUK në Prishtinë për trajtim mjekësor.
Rreth orës 11:23, policia ishte njoftuar nga Emergjenca se viktima kishte humbur jetën. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë kompetente policore dhe eksperti i rrymës. Janë ndërmarrë veprimet e nevojshme policore dhe është kontaktuar prokurori kujdestar”.
Rasti është iniciuar si ‘Vdekje e dyshuar’, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore.