Ministria e Forcës së Sigurisë, në mungesë të buxhetit për punë jashtë orarit ndaj pjesëtarëve të FSK-së aplikon komandimin me ditë pushimi. Sipas raportit financiar të publikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), gjatë analizimit të punës jashtë orarit të pjesëtarëve të FSK-së që e ushtrojnë këtë aktivitet kemi vërejtur se kompensimi me ditë pushimi në rastet kur mbahen kujdestari nuk janë rregulluar me ndonjë procedurë të shkruar mbi të drejtat që pjesëtarëve u takojnë për pushim kur ata kujdestarojnë natën apo vikendeve.
Sipas ZKA-së, nuk ka ndonjë procedurë të shkruar që specifikon se si kalkulohet puna jashtë orarit për t’u kompensuar me ditë pushimi.
Bazuar në të dhënat e analizuara sipas raportit, shihet se FSK-ja e aplikon dhënien e nga një dite pushim edhe në rastet kur ata kujdestarojnë me nga 24 orë me arsyetimin e mungesës së stafit.
“Mungesa e një rregullimi të qartë për kalkulimin e kompensimit të punës jashtë orarit me ditë pushimi ishte shkaku i këtyre devijimeve. Arsye tjetër ishte edhe volumi i punëve dhe mungesa e personelit”, thuhet në raport.
Sipas ZKA-së kompensimi jo i duhur qoftë financiar apo me ditë pushimi përveç që ndikon në motivim të pjesëtarëve gjithashtu paraqet rrezik që ministria të ballafaqohet edhe me padi gjyqësore, që do të kishin ndikim financiar, duke shkaktuar edhe shpenzime të tjera gjyqësore përmbarimore.
Po ashtu ZKA-ja ka gjetur vonesë në realizimin e projekteve dhe mangësi në menaxhimin e tyre.
“Në dy projekte identifikuam vonesa në realizimin e punimeve përderisa në një projekt kishte pozicione që ishin paguar pozicione të pa përfunduara si projekti “Ndërtimi i objektit të akomodimit kazerma Istog” në vlerë 659,661 euro, ishte paraparë të realizohej brenda 365 ditësh kalendarike, sipas nenit 1.2 të kontratës dhe neni 1.3, i cili thekson se “punimet do të fillojnë me marrjen e lejes nga menaxherët e kontratës dhe të përfundojë në përputhje me planin dinamik.
Data e lejimit të punimeve ishte më 01.09.2022 nga ana e Autoritetit kontraktues. Ky projekt është duke u vonuar në përfundimin e tij për së paku 3 muaj.
Projekti “Renovimi dhe ndërtimi i aneksit në kazermën e FSK-së në Pomozotin” në vlerë prej 177,666 eurosh, e nënshkruar më 21.06.2023 ishte paraparë të realizohej brenda 120 ditësh pune.
Gjatë ekzaminimit fizik në mars 2024 kanë vërejtur se projekti nuk ishte përfunduar ende. Më tutje, ekzekutimi i pagesës për situatën e tretë në vlerë 52,208 euro pozicioni 14.3 fabrikimi, sjellja dhe montimi derës PVC 150×240 cm në vlerë 360 euro , nuk ishte vendosur edhe pse ishte bërë pagesa për këtë pozicion dhe te projekti “Ndërtimi i urës 4-Baba i Bokës -Gjakovë” te pozicioni 1.7 sinjalizimi horizontal dhe vertikal ishte paraparë furnizimi transporti dhe vendosja e shenjave të komunikacionit, duke përfshirë shtyllat metalike dhe betonimin e tyre”, thuhet në raportin e ZKA-së./IndeksOnline/